Nga Adriatik Doçi/
Verifikimi i 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale, është një nga operacionet më të monitoruara, më të thella, më me dritëhije dhe më të debatuara në historinë e drejtësisë në Shqipëri. Si i tillë, procesi i Vetingut, përbën një nga aspektet kryesore të reformës në drejtësi, me objekt largimin nga sistemi të magjistratëve të komprometuar, për rivendosjen e besimit të thyer tek drejtësia. Diskutimet për projektin e Vetingut kanë nisur që në vitin 2014, duke u finalizuar më pas në një projektligj. Më 30 gusht të vitit 2016, Parlamenti i Shqipërisë, përmes debateve dhe kundërshtive, miratoi ligjin nr. 84/2016 për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Koha ka bërë të vetën. Dëshiroj t’ju ftoj të ripohojmë veten dhe arsyen pse jemi në këtë sallë. Në emër të Grupit Parlamentar të PS-së, ju ftoj ta votojmë projektligjin e kthimit të moralitetit në sistemin e drejtësisë. Koha e të “paprekshmëve” mbaroi”, tha Pandeli Majko, ish deputet.
Mandati 5-vjeçar për verifikimin
Procesi i Vetingut u konceptua si një ndërhyrje kalimtare dhe emergjente. Kështu në ligj u parashikuan dy nivele verifikimi, shkalla e parë (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit) dhe shkalla e dytë (Kolegji i Apelimit), vendimet të cilës janë përfundimtare. Për rrjedhojë afati i mandatit të organeve të Vetingut u parashikua nga ligjvënësit që në ndryshimet kushtetuese të 22 korrikut 2016.
Pika 8 e nenit 179/b të Kushtetutës parashikon që mandati i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik që bën ankimet e vendimeve, është 5 vjet nga data e fillimit të funksionimit tyre, ndërsa mandati i gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit është 9 vjet. Hartuesit e ligjit të Vetingut menduan se 5 vite ishin të mjaftueshme për të verifikuar në shkallë të parë 800 gjyqtarë dhe prokurorë. Sipas këtij parashikimi, mandati i 12 anëtarëve të KPK dhe dy Komisionerëve Publikë mbaronte në qershor të vitit 2022, ndërsa i anëtarëve të KPA në vitin 2016.
Një vit për të emëruar komisionerët e Vetingut
Kuvendit të Shqipërisë dhe institucioneve të tjera pjesëmarrëse në zbatimit e ligjit të Vetingut, iu deshën gati një vit për të emëruar 12 anëtarët e komisionit të nivelit të parë të Vetingut, me mandat 5-vjeçar, të cilët kanë edhe peshën kryesore në procesin e verifikimit. Ligji i Vetingut u miratua në gusht 2016, ndërsa anëtarët e shkallës së parë të Vetingut u emëruan në qershor të vitit 2018.
Faktorë politikë dhe jopolitikë ndikuan në vonesën njëvjeçare për emërimin e komisionerëve të shkallës së parë. Në datë 05 tetor të vitit 2016, Partia Demokratike, e mbështetur edhe nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, ankimoi ligjin e Vetingut në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata pezulloi ligjin e Vetingut në datën 25.10.2016.
Ligji mbeti i pezulluar deri në datën 18.01.2017, kur Kushtetuesja e rrëzoi kërkesën për shfuqizimin e pjesshëm të tij. Një ditë më pas, vendimi i gjykatës botohet në Fletoren Zyrtare. Në datën 31.03.2017 përfundoi afati për dorëheqjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa u hap rruga për zbatimin e ligjit. Por, grupet parlamentare në Kuvend nuk po gjenin konsensusin për emërimin e komisionerëve. U desh të kalonin edhe disa muaj të tjerë dhe të arrihej marrëveshja e 17 Majit 2017 për emërimin e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit. Këto organe u plotësuan me anëtarë në datën 17.6.2017.
Vendimi i parë, 18 muaj më vonë
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti të merrte vendimin e parë në datën 08 shkurt 2018, duke pranuar dorëheqjen e gjyqtarit Bensik Imeraj nga detyra e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi u firmosu 18 muaj pas miratimit të ligjit të Vetingut. KPK mori vendimin për shkarkimin e gjyqtarit të parë nga detyra në 23 mars 2018, praj 19 muaj pas miratimit të ligjit.
Procesi i ngadaltë, shkaqet e tjera
Nga 8 shkurti i vitit 2018, kur u shënuar vendimmarrja e parë, procesi i Vetingut vijoi i ngadaltë. Shkaqet kryesore janë: Kapacitetet e kufizuara të stafit mbështetës të komisionerëve, mungesa e përvojës pasi procesi verifikimit të trefishtë aplikohej për herë të parë, numri i madh i institucioneve publike dhe private ku duhej të mblidhej dokumentacioni, afatet procedurale për njohjen e subjekteve me gjetjet e verifikimit, mungesa e bashkëpunimit me organin e Vetingut nga disa subjekte të rivlerësimit, problematika të paparashikuara gjatë procesit të Vetingut, pezullimi i procesit për shkak të pandemisë etj.
2.9 vendime në muaj, Kuvendi kritika
Në dhjetor të vitit 2020, Kuvendi artikuloi për herë të parë kritika ndaj organeve të Vetingut, sidomos për shkallën e dytë, e cila kishte dhënë vetëm 70 vendime. Ish kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, u shpreh se “Ne do ta kalojmë këtë projektvendim, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të heshtim për punën e këtyre institucioneve. Në dy vjet kanë marrë 2.9 vendim në muaj. Nuk besoj se është mungesa e 6 apo 9 këshilltarëve që ka prodhuar këtë rendiment në punën e organeve të Vetingut. Në dy vite janë 140 apelime në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Janë dhënë 70 vendime, i bie gati 2.9 vendime në muaj.
Shtohet për herë të dytë stafi ndihmës
Për të përshpejtuar procesin e verifikimit në të dy shkallët e Vetingut, Kuvendi i Shqipërisë, në dhjetor të vitit 2020, shtoi për të dytën herë të dytë stafin ndihmës për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Kuvendi vendosi të shtonte 6 këshilltarë ligjorë dhe ekonomikë për KPA nga 9 që kishe kërkuar si dhe 12 këshilltarë ligjorë për KPK, aq sa kishte kërkuar. Kryetarja e KPK-së, Pamela Qirko u shpreh në dhjetor 2020 se “…vlerësojmë që do të ishte i mjaftueshëm shtimi me 12 këshilltarë ligjorë në njësinë e shërbimit ligjor. Kujtojmë këtu që për 3 vjet ne kemi shqyrtuar rreth 310 çështje dhe kemi dhënë rreth 310 vendime, dhe për gati 1 vit gjysmë, që na ngelet nga mandati ynë, sepse ne jemi me mandat 5-vjeçar dhe është mandat i kufizuar, kemi edhe 500 subjekte të tjera për të shqyrtuar dhe për të marrë vendim. Në këto kushte, ne e vlerësojmë si nevojë imediate plotësimin e kësaj kërkese”.
Bilanci sot
Nga 800 gjyqtarë dhe prokurorë, kanë kaluar në filtrin e parë të Vetingut rreth 400 subjekte. 400 vendime për shkarkim nga detyra, konfirmim në detyrë dhe ndërprerje të procesit të verifikimit, ka marrë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. 127 vendime ka marrë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili përgjithësisht ka lënë në fuqi vendimet e shkallës së parë për shkarkim nga detyra, në rastet kur vendimi i shkarkimit është ankimuar.
Jo të gjitha vendimet e shkallës së parë verifikohen nga KPA, por vetëm vendimet e shkarkimit kur ankimohen nga subjektet e shkarkuara si dhe vendimet e konfirmimit në detyrë, që ankimohen nga Komisioneri Publik, me vullnetin e tij apo me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Nga rreth 400 vendimet, janë shkarkuar nga detyra 170 subjekte, janë konfirmuar në detyrë 150 subjekte, ndërsa 80 gjyqtarë, prokurorë dhe ndihmës ligjorë kanë dhënë dorëheqjen, kryesisht pasi janë thirrur për t’u paraqitur në seancë dëgjimore për t’u njohur me rezultatet e verifikimit.
Komisioneri Publik ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit 62 vendime të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nga 62 ankimime të vendimeve të shkallës së parë të Vetingut (KPK), Komisioneri Publik, 22 ankimime i ka referuar në shkallën e dytë të vendimit (KPA), me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, përgjithësisht, deri më sot, ka pranuar kërkesa e Komisionerit Publik dhe ONM-së, duke rrëzuar vendimet e KPK-së dhe shkarkuar nga detyra gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët kishin kaluar shkallën e parë.
Zgjatet mandati i Vetingut
Në bazë të ndryshimeve kushtetuese të 22 korrikut 2016, mandati i 12 anëtarëve të KPK dhe dy Komisionerëve Publikë mbaronte në qershor të vitit 2022, ndërkohë që kishin mbetur gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kryesisht të shkallës së parë, pa iu nënshtruar procesit të Vetingut. Për të evituar dështimin e këtij procesi, SHBA-BE ushtruan trysni tek faktorët politikë, për të mundësuar zgjatjen e mandatit të shkallës së parë të Vetingut. Në 10 shkurt 2022, Kuvendi i Shqipërisë vendosi të zgjaste me 2.5 vite mandatin e shkallës së parë të Vetingut, konkretisht deri në 31 dhjetor 2021, duke ndryshuar Kushtetutën. (Shqiptarja.com)