Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti dje në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Kransniqi, me të cilin folën për bashkëpunimin mes dy vendeve, sidomos mes të rinjve, duke qenë se Tirana këtë vit është shpallur “Kryeqyteti Europian i Rinisë”.
“Jam i lumtur për ardhjen tuaj në Tiranë. Këtë vizitë e shoh si një mision të madh për të lidhur të rinjtë mes dy vendeve tona. Ne mund të bëjmë një program të shkëlqyer, që djemtë dhe vajzat tona, si në Prishtinë e Kosovë, si në Tiranë e Shqipëri, të lidhen mes tyre përmes projekteve të ndryshme. Angazhimi ynë është ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe mos t’ia lëmë rastësisë, duke filluar që në gjimnaz, në universitet, në forumet e partive, në organizatat jo qeveritare, në klubet artistike, dhe t’i lidhim këto fije. Nëse stofi ynë dhe këto fije lidhen fort, nuk ka asgjë që në ndan, kurse të tjerat janë formalitete që do t’i kryejmë me kohën”, u shpreh Veliaj.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e cilësoi kryebashkiakun Veliaj si njeriu që ka krijuar modelin se si duhet të jetë një kryetar Bashkie.
“Është më shumë se kënaqësi që u ritakova mikun tim të vjetër, me të cilin kam pasur njohje dhe bashkëpunime për shumë vite me radhë në pozicione të ndryshme, por këtë radhë jam këtu si kryetar i PDK. Sa herë që takohesh me Erionin padyshim që njeriu frymëzohet sepse është jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, që u shërben çdo ditë qytetarëve të Tiranës, por është njeriu që ka krijuar modelin se si duhet të jetë një Kryetar Bashkie, ose një Kryetar Komune në Kosovë”, tha Krasniqi.
Në përfundim kreu i PDK-së tha: “U gëzova nga ajo që Erioni ka bërë, nga hapësira që ka krijuar dhe po e fuqizon për të pasur sa më shumë shkëmbime mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërmjet të rinjve dhe veçanërisht në vitin Europian të Rinisë, që Tirana e udhëheq këtë vit. Gëzohem që këtë e ke pasur gjithmonë një nga angazhimet dhe prioritetet e tua, dhe them se edhe Prishtina si kryeqytet homolog, duhet të të ndjekë në këtë qasje për ta rritur shkëmbimin, për ta rritur njohjen, dhe për t’ju ofruar mundësinë të rinjve dhe të rejave të Kosovës dhe Shqipërisë për të punuar.”