Nga Jakin Marena

Gjykata Kushtetuese e dhe vendimin e vet, duke rrëzuar Kuvendin që kishte kërkuar shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit dhe duke e lejuar atë që të qëndrojë në Presidencë dhe 150 ditë të tjera, deri më 24 korrik të këtij viti.

Rezultati ishte surprizues në favor të Metës, madje dhe “targeti” i sulmeve të tij deri pak kohë para vendimit, Fiona Papajorgji votoi kundër vendimit të Kuvendit që kërkonte shkarkimin e ish kreut të LSI nga posti i kreut të shtetit.

Përmes presionit ose jo, rezultati ishte me të vërtetë befasues, 6 me 1 në favor të Ilir Metës, duke e zgjatur “agoninë” e Presidencës deri më 24 korrik kur mbaron mandati pesë vjeçar i tij.

Gjykata Kushtetuese, pas një sërë zvarritjesh, herë duke e dërguar çështjen në Komisionin e Venecias e herë duke shfrytëzuar dhe pandeminë, ku njëri pas tjetrit anëtarët e kësaj gjykate u infektuan nga Covid 19, hodhi poshtë pa asnjë hezitim pretendimet e maxhorancës socialiste për shkelje të rënda të Kushtetutës nga presidenti Ili Meta.

Sipas këtij vendimi, faktet e paraqitura për mesazhe përçarëse, marrje të anës së opozitës gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit të kaluar, për shkelje të rendit dhe sigurisë publike, të betimit si kryetar shteti për të përfaqësuar unitetin e popullit, për cënim të marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë, për shkelje të pavarësisë së organeve publike, të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës për Kushtetuesen.

Pra thirrja e bërë për popullin shqiptar në prag të zgjedhjeve që të armatoset me kosore, sopata, thika dhe mjete të tjera rrethanore e të sulmojnë qeverinë, që sipas Metës, po tentonte të blinte votat, deklaratat se “amerikanët i kap për veshi” apo se “SHBA do ta godasë Presidentin me raketa në Malin me Gropa, por që raketa ka dhe Rusia”, duke prekur rëndë jo vetëm unitetin e kombit teksa bën thirrje për luftë civile por dhe marrëdhëniet tona të shkëlqyera me partnerin më të madh ndërkombëtar, SHBA, nuk përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës sipas Gjykatës, aq sa Ilir Meta të bëhet shembull me shkarkimin e tij se si s’duhet të jetë një President dhe nuk kanë prekur aspak “kordat” e gjykimit të anëtarëve të Kushtetuese kur kanë votuar kundër largimit të Presidentit aktual.

As zhdekretimi i zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 dhe dekretimi i 13 tetorit si ditë zgjedhjesh, veprim që u pasua nga djegia e zyrave zgjedhore gati në të gjithë vendin dhe kur gati e çoi kombin në përplasje civile, gjë që u shmang për shkak të kërcënimit të SHBA që deklaroi se do t’i shpallte PD-në dhe LSI-në si organizata terroriste, nuk u quajtën nga kjo Gjykatë Kushtetuese një shkelje e rëndë e Kushtetutës. Gjthçka u zhbë sikur të mos kishte ndodhur kurrë.

Por, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të diskutohet, na pëlqen ose jo, është një rregull i pashkruar tashmë që “kur flet drejtësia, të tjerët heshtin”. E ne duhet të heshtim, duke mos bërë përjashtim nga ky rregull, ndonëse nga e mërkura e vonë e 16 shkurtit, institucioni i Presidentit e ka humbur vlerën e tij, dhe në këtë godinë mund të hyjnë militantë, shkelës ligji e Kushtetute, njerëz të pirë që firmosin dekrete nën avujt e alkolit, apo dhe pasunarë të cilët kanë vënë para në mënyrat më të paligjshme përmes abuzimit me pushtetin. E themi këtë pasi Presicenca tashmë është një “han pa porta”. Në selinë e Presidencës tani e tutje mund të hyjë turli “kapaku”, edhe sikur të ketë dalë nga spitali psiqiatrik, me kushtin që nga hyrja në këtë institucion të lartë e deri në fund të mandatit pesë vjeçar të mos vrasë njeri, të mos i “mbetet” në dorë askush dhe akoma më tej të mos ia vërshëllejë askush nëse bën thirrje anti-kushtetuese për rrëzim qeverie, përplasje civile dhe ushtrime masive dhune. E thënë në gjuhën juridike “të mos sjellë pasoja”. Pra që të varet gjithçka nga niveli i gjykimit të shqiptarëve, të cilët s’duhet të marrin për bazë asnjë thirrje të Presidentit për këtë akte të dhunshme dhe shkelje të Kushtetutës.

Si në rastin e zhdekretimit të 30 qershorit nga Meta apo në rastin e thirrjes për të rrëmbyer armët e ftohta, nga sopatat e deri të kosoret, kundër qeverisë së radhës, populli duhet të jetë në lartësinë e përgjegjshmërisë kushtetuese, në ndryshim nga Presidenti, dhe mos e lëvizë as “veshin” për të bërë një hap para për t’iu bashkuar këtyre thirrjeve që vijnë nga Presidenca.

Pra gjykata më e lartë në vend, ajo Kushtetuese, pa analizuar përbërjen e saj ndonëse na del për detyrë ta analizojmë pasi s’është një “aksiomë” që pranohet pa vertetim, ka dhënë vendimin e saj për Metën: E ka shkelur Kushtetutën, por e ka shtypur “friksionin” e shkeljes së aktit themeltar të shtetit më “butë”, Një cikë “shtatzënë” me një fjalë, por që është pa ndonjë dëm të madh në “virgjërinë” kushtetuese të Presidentit.

Asipse nuk ka kursyer asgjë, duke e kthyer selinë e institucionit më të lartë të shtetit dhe të përcaktimit me Kushtetutë si institucion mbi palët dhe simbol të unitetit të kombit, në një “filial” të opozitës së dhunshme në vend, madje duke e vënë rëndshëm dhe në shërbim të politikanëve “non grata”, siç është rasti i “pikës së dobët” të Ilir Metës, ish kryeministrit Sali Berisha.

Praktikisht Presidenca nuk ekziston më, është kthyer thjeshtë dhe vetëm në një “azil” qëndrimi për një njeri dhe shpurën e tij, që po presin ditën kur të dalin zyrtarisht nga kjo zyrë, më 24 korrik të këtij viti, duke marrë me vete bashkë me sendet personale, edhe “nderin” e Presidencës por dhe beneficet që burojnë nga përfundimi i plotë i mandatit të deputetit, pagën për 3 vite, të drejtën e një zyrë dhe sekretareje, vendin në pritjet e ndryshme zyrtare, nëse e begenis njeri, si dhe punonjësit e Gardës për ta mbrojtur në 5 vitet e ardhshme.

Por teksa jemi të detyruar që sipas kësaj “formule të pashkruar” të pranojmë verdiktin e gjykatës më të madhe në vend, nuk mund të anashkalojmë disa fakte kontradiktore që përcjellin këtë vendim që liroi Ilir Metën nga të gjitha akuzat si shkelës i vazhdueshëm i Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese zyrtarisht e ka përcaktuar përplasjen mes Metës dhe Kuvendit si një ndeshje e përfunduar “remi”, që në gjuhën shahistike për ata që dinë dhe rregullat më elementare të shahut, është barazim. Barazim i dhimbshëm por ama kështu ka vendosur “kadiu” i Kushtetueses me shumicën e votave, në vendimin ë një nate më parë. Vendim që me sa duket ishte marrë në krye të herës, por nga turpi apo nga mungesa e një formule “remi” nuk ishte shpallur më parë, duke fituar kohë javë pas jave për të dhënë një arsyetim final.

Nuk dihet se kush e dha këtë formulë, por sipas asaj që ka dalë nga salla e Kushtetueess dhe është përcjellë në publik si vendim i trupës gjykuese prej 7 anëtarësh, rezulton në fund të herës se, si procedurat që ka ndjekur Parlamenti për shkarkimin e Presidenti janë në përputhje me Kushtetutën, ashtu dhe kreu i shtetit, presidenti Ilir Meta nuk ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës.

Pavarësisht se një nga shtyllat më të forta të mbrojtjes nga ana përfaqësuesve ligjorë, që u sollën si avokatë privatë, të kreut të shtetit në Kushtetuese, ishte pretendimi për shkeljet e rënda procedurale nga Parlamenti, që nga shqyrtimi i nismës ligjore së maxhorancës së PS për shkarkimin e Metës, ngritjes së komisionit hetimor dhe marrjes së vendimit për shkarkim, gjykata më e lartë vend i hodhi poshtë.

Kushtetuesja njoftoi se duke patur në konsideratë pavarësinë organizative të Parlamentit të Shqipërisë, konstaton që në tërësi nuk ka shkelje kushtetuese. Pra e shkruar e zeza mbi të bardhë, nëse e lexojmë drejt vendimin më të fundit të Gjykatës Kushtetuese, si Parlamenti i Shqipërisë nuk ka bërë asgjë të parregullt në evidentimin e fakteve dhe shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës, ashtu dhe Ilir Meta nuk e ka shkelur Kushtetutën aq sa të plotësojë kuadrin ligjor të shkarkimit të tij nga ky post.

I vështirë për t’u kuptuar ky arsyetim, por jemi të detyruar ta pranojmë, pasi “formula” për të mos diskutuar asnjë vendim të drejtësisë pas momentit kur jepet ai, na detyron që të heshtim. Madje thellë, por duke mos qëndruar pa thënë se ky vendim është dhënë nga Gjykatë Kushtetuese, një gjykatë e pavarur, e lirë dhe e pandikuar nga mazhoranca. Madje aq e lirë është në vendimet e saj, sa ka arritur dhe në caqet e pavarësisë dhe nga vetë …Kushtetuta.

Nuk do të hyjmë aspak në faktin se kush është më shumë i interesuar me një Ilir Metës edhe 150 ditë në selinë e Presidencës, teksa jemi në pritje të rezultatit të zgjedhjeve në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar më 6 mars, ku aleati i tij Sali Berisha, pasi mori si “dhuratë” nga kreu i shtetit siglën e partisë së tij LSI për të regjistruar kandidatët e “Rithemelimit” fraksion i PD ky, në zgjedhje. Pritja e shqiptarëve nuk ka të bëjë me fatin e Presidencës tashmë, ai dihet që do të jetë sërish “venom” i Ilir Metës deri më 24 korrik të këtij viti, por me fatin e partisë më të madhe opozitare. Pra si do të jenë “copat” e PD të ndara mes Berishës dhe Bashës, për të përcaktuar më pas skenarin e mundshëm të sjelljes politike të opozitës në btë ardhmen.

Deri atëherë do të jemi të detyruar të “shijojmë” vijimësisht “alpinizmin presidencial” të Ilir Metës, fotot e videot e tij me qenin, macen, Celtikun, miqtë e shokët, dekretimin e guzhinerëve, pronarëve të selisë së LSI, apo këngëtarëve tallava, por dhe akuzat pa “doganë” të Sali Berishës, një kurs ia pandryeshueshëm politik i tij në 30 vite me radhë.

Ah po! Jemi të detyruar të presim dhe plotësimin e vendeve vakante në Kushtetuese, pjesës më të madhe të anëtarëve të së cilës ka kohë që u ka përfunduar mandati, me shpresën se tashmë që Meta nuk ka hall do të shkojnë aty mendjet më të ndritura të drejtësisë shqiptare. Të presim!