Dnipro është qyteti që ndodhet më pranë rajoneve Donetsk dhe Luhansk në Ukranë, në të cilat në vitin 2014 dhe 2015 ndodhën kryengritjet separatiste të mbështetura nga Rusia. Nga ky qytet, ku shumica flasin rusisht, shumë qytetarë luftuan kundër forcave separatiste. Shumë prej tyre e shohin me shqetësim krizën aktuale.
“Natyrisht, ne jemi të shqetësuar. Ne kemi kaluar tashmë luftra. Kam luftuar deri në vitin 2016. Unë përdor snajper. Unë e di se çfarë është lufta. Ne do të mbijetojmë”, thotë Mikhail, banor i këtij qyteti.
Trauma e një lufte që ka shkaktuar viktima tani rrezikon të përsëritet. Por në këtë qytet qetësia mbizotëron, me shpresën se kërcënimi nga Moska nuk do të bëhet realitet.
Megjithatë qyteti po përgatitet edhe për më të keqen. Autoritetet po rinovojnë bunkerët e vjetër të epokës sovjetike, të cilët për ironi, kishin për qëllim të mbronin qytetarët nga një sulm i NATO-s.
“Kjo strehë është gjithmonë gati. Ne kontrollojmë periodikisht tubacionet, energjinë, ujin, gjithçka të nevojshme për të pritur njerëzit kur është e nevojshme”, thotë Vitali Kerdruk, zyrtar i qytetit.
Pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia për një luftë të re, jeta normale në qytet vijon.
Artistët në teatrin e operës dhe baletit të qytetit nuk e kanë ndërprerë punën për asnjë ditë të vetme, pavarësisht ankthit të luftës.
“Është shumë e vështirë. Ka shumë ukrainas që kanë të afërm dhe miq në Rusi, por situata është duke u zhvilluar kështu. Jemi mësuar me këtë dhimbje dhe jetojmë me të”, thotë Tatiana Galnik, këngëtare e Operës së Dnipros.
Rusia ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa pranë kufijve të Ukrainës, ndërsa Perëndimi ka paralajmëruar për një sulm të mundshëm rus. Moska nga ana tjetër mohon se ka në plan të sulmojë Ukrainën./VOA/