Pesë nga pasagjerët e zhdukur të tragetit të djegur Euroferry Olympia në Korfuz janë gjetur të gjallë. Në të njëjtën kohë, pas një operacioni të gjerë, ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin nga një garazh një bullgar dhe një turk, të cilët mbetën të bllokuar nga flakët.

Ekipet e shpëtimit po vijojnë punën për gjetjen e personave të tjerë, që deri më tani rezultojnë të zhdukur. Autoritetet kanë shpresë se të gjithë personat mund të jenë gjallë dhe po punohet për gjetjen e tyre.

Flakët kanë shpërthyer pak pas nisjes së anijes nga porti i Igumenicës në orët e para të së premtes në Ereikousa. Alarmi ka rënë në orën 04:30 të mëngjesit dhe menjëherë ka nisur procesi i evakuimit. Pasagjerët janë larguar nga anija me varka shpëtimi. Për fat të mirë moti ishte i mirë dhe operacioni i shpëtimit ka shkuar pa probleme.