Damian Gjiknuri i ka kthyer përgjigje akuzave të Sali Berishës në lidhje me situatën aktuale me çmimet. Gjatë mocionit me diskutim në parlament, Gjiknuri tha se qeveria ka mbrojtur familjet dhe biznesin e vogël nga rritja e çmimit të energjisë. Gjiknuri tha se nuk mund të vihet në pushtet me “politikën e korbave”.
“Nuk dua këtu të kërcënoj as qytetarët shqiptarë as të përhap panik, por nga ana tjetër një qeveri e përgjegjshme nuk i heq të gjitha kartat në tavolinë dhe pret e monitoron situatën. Rritja e çmimeve mund të ketë ndikime edhe në shumë sektorë të tjerë. Vërtetë shteti thotë ai që janë rritur të ardhurat nga taksat sepse janë rritur çmimet, por mund të zvogëlohet edhe puna publike se disa kantiere mund të mos punojnë më, se kostot e ndërtimit janë rritur, se proceset e tjera mund të mbeten. Do të thotë që potencialisht mund të kemi të ardhura më të ulëta në buxhetin e shtetit se prapë nuk e dimë si do shkojë kjo gjë. Çfarë duhet të bëjë qeveria? Duhet t’i heqim të gjitha taksat dhe pastaj të ngrejë duart që të përmbushet skenari që “o burra o popull nuk kemi bukë të hajmë dhe dilni përmbysni qeverinë”. Pse mo me politikën e korbave do vini në pushtet ju? Ti s’vjen e s’vjen, por edhe këta të tjerët që pretendojnë të vijnë. Pse atë do, tokë të djegur që të vij në pushtet, të dalë populli, të dalin tek pjesa që nuk kemi më bukë, të përmbyset qeveria dhe shyqyr të gjejmë ne, të shkojë si gjeli te plehu dhe të këndojë “ja e gjeta situatën” të shpëtoj unë. Kjo është papërgjegjshmëri. Njerëzit janë të stresuar, janë të lodhur. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për mbështetje, por kanë nevojë edhe për një komfort psikologjik që qeveria po bën gjithçka që të gjithë duhet të jemi në mbështetje me mundësitë që kemi për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, por pa prishur elementët bazë që mbajnë këtë shtet. Ndryshe ato pranverat që ti do, pranvera e shqiptarëve, do kthehet në një pranverë kobzezë, që vetëm ti me mendjen tënde mund ta imagjinosh. Ne nuk jemi për këtë”, tha Gjiknuri.