Në një intervistë për emisionin ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën në News24, ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov rrëfen përjetimet e ditëve si diplomant në Shqipëri, ndërsa vendi i tij është në luftë.
Shkurov thotë se njerëzit që pushtuan Ukrainën ata i thërrasin “kriminelët e luftës” sepse të tillë janë sipas tij, ndërsa thekson se e sheh si shumë të vështirë situatën në Ukrainë.
“Dua të them se të shikosh lajme, është bërë për mua sot një punë shumë e vështirë në aspektin emocional. Është e kuptueshme që tani kemi shumë aktivitete publike, takime, dokumente, dhe janë disa elemente te punës, që pavarësisht rrethanave ne duhet t’i kryejmë me doemos. Do të thoja se tensioni emocional më krijon përshtypjen sikur jam vazhdimisht i sëmurë.”- shprehet ai.
Pjesë nga intervista:
Zoti ambasador, ka kaluar më shumë se një javë që kur Rusia nisi sulmin ushtarak ne Ukrainë, ju si i keni përjetuar këto ditë të vështira?
Shkurov: Unë por edhe i gjithë stafi i Ambasadës e perceptojmë veten si pjesë e popullit tonë, i cili po mbytet me gjak dhe po vuan. Kjo do të thotë se jeta jonë është ndërtuar në një përpjekje të vazhdueshme për të bërë çfarë do lloj gjëje për të ndihmuar popullin tonë i cili po lufton në Ukraine. Ne e shohim situatën shumë të vështirë. Është një luftë e vërtetë. Njerëzit që pushtuan Ukrainën ne i thërrasim “kriminelët e luftës” sepse të tillë janë dhe jemi shumë të shqetësuar për atë çfarë po ndodhë sot. Ukraina është në vështirësi të madhe. Përsa na takon ne këtu nuk kemi më oraret e caktuara të punës. Prej ditësh tashmë ne punojmë nga mëngjesi deri në darkë me të papritura nga më të ndryshmet. Ndërsa në shtëpi janë ato elementet e komunikimit me Kievin. Ndjekim intensivisht çdo zhvillim. Shohim lajmet vazhdimisht, shohim televizionet. Dua të them se të shikosh lajme, është bërë për mua sot një punë shumë e vështirë në aspektin emocional. Është e kuptueshme që tani kemi shumë aktivitete publike, takime, dokumente, dhe janë disa elemente te punës, që pavarësisht rrethanave ne duhet t’i kryejmë me doemos. Do të thoja se tensioni emocional më krijon përshtypjen sikur jam vazhdimisht i sëmurë.
Si po i ndiqni zhvillimet dhe si po organizohet puna juaj në këtë periudhë?
Shkurov: Sigurisht kemi mundësinë të shikojmë zhvillimin e ngjarjeve në mënyrë të vazhdueshme, nëpërmjet Tv Ukrainas, kemi disa rrjete, ku mbi një bazë të rregullt ne marrim informacione të përditësuara. Dhe çdo ditë, disa herë në ditë, këtë informacion të përditësuar unë ua dërgoj përfaqësueseve të të gjitha degëve të Qeverisë Shqiptare. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me gjithçka. Tepër të vëmendshëm ndaj çdo detaji.
Me kë keni kontakt?
Shkurov: Marrim për shembull ditën e djeshme. Kam patur mundësinë të flas me Ministrinë e Punëve të jashtme, me zv. ministrin, me Zv. Ministrin e Mbrojtjes, pasi Shqipëria dërgoi ndihmë në Ukrainë. Sigurisht ishin disa çështje logjistike në lidhje me këtë, por gjithashtu kemi mundësinë e komunikimit me nivelin e drejtorive funksionale dhe me kolegë në vende të tjera.