Nga Jakin Marena
Vendimi i Gjykatës së Tiranës në lidhje me Kuvendin e korrikut të vitit të kaluar, kohë kur ishin bashkë Lulzim Basha me Sali Berishën, si paterica që mbanin njëri tjetrën në PD, i ka gjetur demokratët të ndarë praktikisht në tre pjesë.
Partia më e madhe opozitare tashmë është një “hije” e vetëvetes, ku Berisha me grupin e tij pas rezultatit që mori në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit është tani mbi PD-në zyrtare duke e zhvendosur atë në vendin e tretë në hartën e politikës shqiptare.
Por dhe vetë ajo “copa” që drejtohet nga Basha që nga shtatori i vitit të kaluar, kur Berisha u përjashtua nga grupi parlamentar pas shpalljes “non grata” nga SHBA për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë dhe presion mbi drejtësinë në Shqipëri, tashmë nuk është e bashkuar.
Në PD zyrtare tashmë janë ravijëzuar dy grupe në përballjen me njëri tjetrin, ajo e pothujase të gjithë deputetëve demokratë të cilët kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PD dhe bashkimin e partisë, me argumentin se s’garanton kurrë fitoren e opozitës për të ardhur në pushtet, dhe grupi tjetër që mbështet Bashën dhe i bën thirrje që të mos ikë. Pra e kemi fjalën për Kolegjin e kryetarëve, krerët e emëruar të degëve të PD dhe funksionarë të tjerë lokalë.
Basha në disa mbledhje të grupit parlamentar të PD kërkoi me insistim kohë për të reflektuar, ndërsa pa përmendur asnjëherë termin “dorëheqje” ai nënvizoi në të gjitha daljet publike se është i gatshëm të jetë në dizpozicion të partisë, për të bërë më të mirën e mundshme për të.
Por sikurse e paralajmëruam dhe ne disa herë në median tonë, më shumë se sa për të reflektuar për situatën në PD të shkaktuar pas humbjes traumatike në 6 bashki në zgjedhjet e 6 marsit, madje me diferencë të madhe votash dhe nga grupimi i drejtuar nga Berisha “Shtëpia e Lirisë”, Basha e kërkoi kohën për të reflektuar thjeshtë dhe vetëm për të fituar kohë.
E themi këtë sepse më 18 mars, pra të premten që kaloi Gjykata e Tiranës vendosi për Statutin e Kuvendit të korrikut të vitit 2021, kur Basha dhe me mbështetjen e Berishës, në atë kohë si “mish e thua” bashkë, ndonëse vinte menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit po të vitit të kaluar, u rizgjodh si gjithnjë pas humbjes, në krye të PD.
Kështu, në mesin e debatit se kush e dominon PD-në dhe kush ka legjitimitetin për ta drejtuar atë, Gjykata e Tiranës dha të parin vendim që zyrtarizon në krye të partisë, Lulzim Bashën.
Gjykata regjistroi ndryshimet në statutin e PD-së dhe të gjitha vendimet e Kuvendit Kombëtar, të 17 korrikut 2021 që Lulzim Basha e mblodhi në pallatin e Kongreseve, ende pa marrë vendim për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar pas shpalljes “non grata” nga SHBA.
Ndonëse në Gjykatë është dhe dokumentacioni i Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor 2021 me kërkesën e 1/3 të delegatëve si dhe Kuvendi tjetër i Bashës më 18 dhjetor po të vitit të kaluar, praktikisht kryetar me vendim gjykate është Lulzim Basha. Pra kryetari me “letra” i kësaj partie është pikërisht njeriu, të cilin dhe mbështetësit më të afërt të tij deri më 6 mars të këtij viti e duan të dorëhequr, madje dhe të përjashtuar nga Grupi parlamentar i PD, me arsyetimin se i ka sjellë një dëm të pallogaritshëm opozitës, në përplasjen e tij personale për lidershipin e PD, me Sali Berishën.
Pra pavarësisht se 11 ndryshimet e propozuara në Statutin e PD nga Basha dhe që unanimisht morën miratimin e strukturave drejtuese në PD preknin vetëm anën organizative të partisë, tetë muaj pas Kuvendit të korrikut, legjitimimi i statutit në mars në gjykatën e Tiranës, me sa duket nuk do t’i shërbejë as vetë Bashës, që me shpërthimin e krizës me demokratët e përçarë mes 3 kampeve, nuk i ka zbatuar dot ndryshimet statutore që dhe vetë Berisha në atë kohë i votoi.
Teksa në ndryshimet e bëra, qoftë në statutin e 17 korrikut, por qoftë edhe atë të dhjetorit, Basha la pa prekur pozicionin e kryetarit të partisë, që sipas kundërsharëve të tij duhet të ketë një mandat 4-vjeçar dhe pa të drejtë rikandidimi, në rast se humbet zgjedhjet, kreu aktual i PD zyrtare sërish ngurron të japë dorëheqjen pas humbjes katastrofike më 6 mars.
Ndërkohë në Gjykatë është në pritje të një date shqyrtimi, edhe kërkesa e Sali Berishës për të marrë vulën e drejtësisë mbi ndryshimet statutore dhe vendimet e kuvendit të 11 dhjetorit që shkarkoi nga drejtimi i PD-së Lulzim Bashën dhe ndryshoi logon dhe vulën e selisë. Por dhe sfida e radhës për Bashën që të regjistrojë ndryshimet e rëndësishme që i bëri statutit më 18 dhjetor kur mblodhi Kuvendin që i ndaloi çdo personi të shpallur ‘non grata’ të marrë pozicione drejtuese në parti. Por këto janë thjeshtë vendime gjykate.
E themi këtë, pasi pavarësisht se Basha hyri në zgjedhjet e 6 marsit duke pasur “certifikatën” e Gjykatës dhe të KQZ si kryetar zyrtar i PD, pavarësisht se hyri në zgjedhje me siglën e kësaj partie dhe me strukturat drejtuese të saj nga qendra në bazë, pavarësisht se i ‘mbijetoi’ sulmit të Berishës më 8 janar për të mbajtur selinë e kësaj partie buzë Lanës, paçka se të blinduar dhe me mbështetjen e policisë, të qënit kryetar zyrtar i PD nuk i mjaftoi Bashës që të udhëhiqte grupimin e tij drejt një rezultati pozitiv në ballafaqimin elektoral të 6 marsit. Duke treguar qartë se partia politike është frymë, është anëtarësi dhe kauzë, nuk është një institucion që mbahet thjeshtë dhe vetëm me letra apo qoftë dhe me vendim gjykate.
Basha nuk arriti që të dilte përtej godinës së PD, për të përcjellë frymën dhe mobilizimin për fitore që frymëzon një lider politik për partinë e tij politike që drejton. Mbeti në kushtet e një teknicieni që u mjaftua me faktin se zyrtarisht të gjithë e njihnin në Shqipëri si kryetar të PD, ndërkombëtarët dhe institucionet e drejtësisë gjithashtu, por që anëtarësia e PD, pikërisht ajo që bën fushatë dhe mbush “shportën” me vota, nuk e njihte si lider të vetin.
Faktet treguan se demokratët i besonin më shumë Berishës, pavarësisht se kjo nuk ia jep të drejtën liderit historik për t’u mburrur se “mori rezultat të fortë më 6 mars, i vetëm dhe pa parti”.
E themi këtë pasi vota e demokratëve dhe mbështetësve të tyre më 6 mars për Berishën “non grata” në SHBA, kundër Bashës kryetar zyrtar të partisë më të madhe opozitare është një fatkeqësi e dyfishtë për PD-në, sepse në radhë të parë kishin një lider të paaftë dhe në radhë të dytë u detyruan të zgjidhin si alternativë të vetme, Sali Berishën, një të padëshirueshëm nga eleati ynë më i madh.
Njëherësh kjo tregoi se nuk ka rëndësi se kush është me “letra” kryetar i një partie politike, rëndësi ka se kush bën liderin në një parti, kush e bën anëtarësinë dhe elektoratin ta ndjekë pas. Basha vertetoi se kurrë nuk u bë lider, as me vendim gjykate.
Kështu dhe me këtë vendimin e të premtes së kaluar nga gjykata e Tiranës që e certifikoi Bashën me letra si kryetar i PD, nuk sjell asgjë të re në qetësimin e situatës brenda PD, pasi Basha nuk shihet më si lider, nuk i beson askush që ta ndjekë prapa.
Eshtë emergjencë që PD të fillojë sa më shpejt procedurat për bashkimin e saj dhe gjetjen e një lideri të ri, përtej Bashës dhe Berishës, në mënyrë që të bëhet gati për të qënë e denjë në konkurrencën dhe ballafaqimin zgjedhor për pushtetin vendor në pranverën e vitit të ardhshëm.
Ndryshe, nëse Basha dhe mbështetësit e tij në degët vendore të PD e shohin mandatin e drejtimit të kësaj partie si një vend pune që mund të jepet me një copë letër pas vendimit të Gjykatës, jashtë mbështetjes së anëtarësisë së demokratëve, atëherë kjo parti do të shënojë dhe uljen më tepër të kuotave politike të saj, deri në shkrirje.
Apo më keq akoma përtej kësaj, grumbullimin e demokratëve dhe të gjithë të djathtëve rreth Berishës e Metës për të formatuar zyrtarisht një formacion politik anti-amerikan, i cili nuk do të arrijë kurrë të jetë një alternativë e të ardhmes në Shqipëri.
Praktikisht Basha s’ka kohë më të mendohet dhe reflektojë për të ardhmen, pasi dhe me Statutin e korrikut 2021 të miratuar nga gjykata e Tiranës dy ditë më parë, si kryetar humbës më 6 mars duhet të japë dorëheqjen.