Ish-kryeministri Sali Berisha iu ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kërkuan dorëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha, pas rezultatit në zgjedhjet lokale të 6 marsit, që t’i bashkohen asaj, që Berisha e quan opozita e vërtetë. Në një konferencë për media, Berisha tha se kushti i vetëm për këta deputetë të PD që t’i bashkohen atij, është dhe mbetet vetëm vota e lirë, ndërsa shtoi se Basha nuk e jep dorëheqjen nga PD, pasi “ai është një peng, që nuk e ka në dorë veten e tij”.
“Zgjedhjet e 6 marsit nxorën në dritën e diellit para shqiptarëve se Shtëpia e Lirisë, në të cilën PD ka rolin kryesor, përbën opozitën e vërtetë shqiptare. Më 6 mars 70% e popullit opozitar votoi për partinë e vërtetë demokratike. Ky ishte një nga produktet më të rëndësishme, rezultatet më të rëndësishme, të 6 marsit, ku në këtë ditë qytetarët i dhanë përgjigje të merituar Edi Ramës, i treguan atij se lojën me fasadë-opozitë, peng-opozitë, ata nuk e pranojnë, por e hodhën në kosh të plehrave. Unë gjej këtu rastin të ftoj çdo demokrat e demokrate që të lexojë mesazhin e 6 marsit dhe të bashkohemi si opozitë e vërtetë për të ecur drejt fitores së sigurt në zgjedhjet e ardhshme”, tha Berisha.
Pyetje: A keni pasur kontakt me deputetët që i kanë kërkuar largimin Bashës? Kam ndjekur zhvillimet brenda selisë së Lul Bravës dhe bunkerit të blinduar. Vlerësoj e përshëndes qëndrimet e deputetëve të PD, të cilët sapo konstatuan me fakte se brava-opozita është një opozitë falso, e shtirë, ata shprehën qëndrimet e tyre të drejta, kërkuan vendime, që Lul Brava nuk i merr kurrë, sepse nuk e lejojnë. Unë i ftoj ata të bashkohen me elektoratin e tyre, të bashkohen me PD, të kontribuojnë në konsolidimin e saj. I garantoj plotësisht se ligji i pandryshueshëm dhe i vetmi kusht i këtij bashkimi është dhe mbetet vota e lirë. Çdo njeri që pranon votën e lirë si mekanizëm, bashkimi midis demokratëve që janë të vendosur të qëndrojnë si opozitarë të vërtetë, është shumë i mirëpritur të bashkohet me ne.
Pyetje: Si do e hiqni Bashën? Gara është e hapur, PD është në një proces reformimi të plotë. Cilido që është i gatshëm të kontribuojë në këtë proces dhe ka besim te vota e lirë, është plotësisht i mirëpritur. A jep dorëheqjen Lul Brava? Unë them që ai është një peng, që nuk e ka në dorë veten e tij, por keqpërdoret e keqshfrytëzohet deri në fund, sa të mos mbetet asgjë tek ai.