Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, takohet me aleatët kryesorë në Bruksel dhe Varshavë këtë javë në vazhdën e përpjekjeve të perëndimit për të mos lejuar që lufta e Rusisë kundër Ukrainës të kalojë në një katastrofë edhe më të madhe. Biden druhet se Rusia mund të përdorë armë kimike ose bërthamore duke qenë se pushtimi i saj nuk po ecën sic e parashikonte Moska dhe është ndeshur me probleme të mëdha logjistike dhe një rezistence të ashpër ukrainase. Sfidat humanitare po rriten, gjithashtu.
Miliona refugjatë janë larguar nga luftimet, kryesisht duke kaluar kufirin në Poloni dhe lufta ka rrezikuar të korrat e grurit dhe elbit të Ukrainës, duke rritur mundësinë e rritjes së urisë në zonat e varfra anembanë globit. Jake Sullivan, këshilltar i Bidenit për Sigurinë Kombëtare, tha se presidenti do të koordinojë lëvizjet me aleatët për ndihmën ushtarake për Ukrainën si dhe për sanksione të reja ndaj Rusisë.
Ai shtoi se Biden po punon në përpjekjet afatgjata për të rritur mbrojtjen në Europën Lindore, ku shumë vende frikësohen nga agresioni rus. “Ai do t`i mëshojë ndërkohë edhe idesë së zvogëlimit të varësisë së kontinentit nga energjia ruse.”Kjo luftë nuk do të përfundojë lehtë ose shpejt“, tha Sullivan përpara gazetarëve. Ai përmendi dhe kërcënimet Putinit për armët bërthamore, duke thënë se Biden do të diskutojë me aleatët për “përgjigje të mundshme” nëse udhëheqësi rus e ndërmerr atë hap.