Për të disatën herë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka konfirmuar se është pro zgjetimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, rajon në të cilin përfshihet edhe vendi jonë.

Sipas “Alsat Mk”, Blinken zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ku përshëndeti momentin e ri të dialogut me Bullgarinë dhe u shpreh se një zgjidhje për çështjen midis dy vendeve do të pasojë gjatë presidencës franceze të BE-së.

Gjithashtu, Sekretari amerikan i Shtetit theksoi se mbështetja e Uashingtonit buron nga përkushtimi i plotë i Maqedonisë së Veriut ndaj vlerave të NATO-s, siç dëshmohet nga mbështetja e vendit për Ukrainën, e cila është plotësisht në linjë me të gjithë aleatët.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut i ka theksuar sekretarit Blinken se nuk ka kohë për të humbur dhe se çdo vonesë e mëtejshme mund të ketë pasoja të rënda rajonale dhe të hapë dyert për rritjen e ndikimit të palëve të treta në rajon.

Gjatë bisedimeve, Kovaçevski dhe Blinken shprehën kënaqësinë për harmonizimin dhe koordinimin efektiv të NATO-s dhe BE-së në sanksionimin e Rusisë, si dhe në organizimin e mbështetjes efektive për Ukrainën, së cilës iu bashkua edhe Maqedonia e Veriut.