Ukraina vijon të përballet me pushtimin e Rusisë, i cili ka hyrë sot në ditën e 14, duke marrë jo pak jetë njerëzish e lënë pas shkatërrime të mëdha, si dhe largime masive nga vendi.

Edhe mëngjesi i kësaj të mërkure në qytetet kryesore të Ukrainës ka qenë i trazuar, mes bombardimeve të shumta nga trupat ruse, sirenave që binin dhe tentativave për të evakuuar qytetarët, të cilët rrezikojnë jetën.

Ndër zhvillimet kyçe të orëve të para të mëngjesit kanë qenë këto:

Ka pasur raportime për sirena në disa qytete ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev
Evakuimet nga qyteti verilindor Sumi janë kryer me sukses. Guvernatori i qytetit ka thënë se 5,000 persona besohet se janë larguar nga ky qytet në dy fazat e evakuimit
Sumi, qytet afër kufirit me Rusinë, është përballur me bombardime të ashpra në ditët e fundit. Vetëm të hënën, 22 persona kanë vdekur – përfshirë tre fëmijë – si pasojë e sulmeve ajrore ruse, kanë thënë zyrtarët lokalë

Tentime të ngjashme kanë dështuar në Çernihiv, sepse Rusia ka vazhduar të bombardojë rrugët dalëse, ka pretenduar Ukraina.
Rusia ka bërë të ditur për një tjetër armëpushim, kanë raportuar mediat ruse
Sipas Moskës, korridoret do të jenë të hapura në Kiev, Çernihiv, Sumi, Harkiv dhe Mariupol nga ora 10:00 sipas kohës lokale. Ky është njoftimi i tretë për armëpushime – ndonëse shumica kanë dështuar.