Nga Ylli Pata/

Prej orës 11-15, kur në Gjykatën e Tiranës u shpall se Agron Zhukri ka regjistruar vulat dhe logot e Foltores, në eterin e ekraneve dhe rrjeteve online ndodhi një batërdi e vërtetë. Një batare fanfarash, entuziazëm i pamasë, që dukej që në fillim që ishte një teatër, por me kalimin e orëve mori përmasat e plota të tragjikomedisë.

Prej orës 11-15, kur në Gjykatën e Tiranës u shpall se Agron Zhukri ka regjistruar vulat dhe logot e Foltores, në eterin e ekraneve dhe rrjeteve online ndodhi një batërdi e vërtetë. Një batare fanfarash, entuziazëm i pamasë, që dukej që në fillim që ishte një teatër, por me kalimin e orëve mori përmasat e plota të tragjikomedisë.
E quajtën të marrë selinë e PD-së, madje një idhtar i fortë i Foltores përgatiti dhe karikaturën e ditës, duke ilustruar Zhukrin që i dhuronte vulën Sali Berishës.Të tjerë shkuan edhe më tej, por thanë që pas Bashës, radha i ka ardhur edhe ambasadores Yuri Kim të shkarkohej. A thua se në SHBA ka një gjyqtar që ka qenë shofer, e gruan e ka pasur sekretare të doktorit. Por ca të tjerë shkuan edhe më tej, siç kanë bërë gjithë këto kohë, nisën linçimin e tradhëtarëve. Dikush që mbështet foltoren kishte përzgjedhur për të linçuar me dacibao Roland Bejkon. E komentet poshtë ishin drithëruese: “Atij do t’i prishen frenat në Qafë Kërrabë”, e të tjera me radhë kobe të tilla. Siç kishte edhe juristë sulmuan Enkelejd Alibeajn, që fill pas vendimit të Zhukrit, qetësisht bëri një fact check të situatës, natyrisht duke e kontestuar edhe vendimin.

E pikërisht pas kësaj deklarate mjaft të fortë të Alibeajt, ndodhi pjesa kulmore e këtij teatri që po trazon publikun, por sidomos mbështetësit e opozitës, vetëm që të sistemohet doktori ashtu si do. Televizionet live lajmëruan se një delagacion i “Komisionit të Rithemelimit” u turr drejt selisë së PD-së. E menjëherë nisën spiketet, duke komentuar tensionin, si një kronikë ndeshjeje me emocione të forta. “Po shkojnë: do të shkojë pas tyre edhe Berisha?”. “Thuhet për bisedime, lidhemi me gazetarin tonë në zyrën e Berishës. Sa zbriti, por nuk foli me mediat. Nuk e dimë ku po shkon”. “Sapo u njoftuam se po shkon në selinë e PD-së”. Në këtë kronikë tensioni kreshendo, analistët në studio nuk patën dyshime. “Doktori po tregon se luajti një lojë të madhe, i vetëm në fushë dhe fitoi. Tani PD është e tija”.

Në ndërkohë, Voltana Ademi çoi në Shkodër, disa shoferë të bashkisë, që në derën e mbyllur të selisë së PD-së atje, pas largimit të drejtuesve të vendosnin foton e madhe të Sali Berishës, e ta puthnin para kamerave. Ndërkaq, në selinë e PD-së, Sali Berisha ishte futur brenda në vendin ku Alibeaj e Gazmend Bardhi po diskutonin me dërgatën e Foltores. Takimi zgjati, por analistët në studio nuk kishin dyshime: është e kotë, do të zbrazin zyrat, në zyrën që ka pasur Basha do të hyjë doktori. Nuk janë negociata, por thjesht një çaj miqësor për triumfin e arritur”.