Mbrojtësi dhe kapiteni i Juventus-it, Giorgio Chiellini, ka dhënë një intervistë të gjatë për britaniken The Timës. Juventus, Italia, Champions League, kundërshtarët, tërheqja: 37-vjeçari ka folur për gjithçka.
Champions League i mungon koleksionit tim dhe atij të Juventus-it nga 1996-a, por bëhet fjalë për një kompeticion të çuditshëm, përveçse shumë i fortë: jo gjithmonë fiton skuadra më e mirë, ka thënë Chiellini.
Në edicionet e fundit jemi eliminuar nga Porto, Lyon dhe Ajax: nuk mund të jemi sigurisht të kënaqur. Çfarë thotë klubi? Se pas merkatos së dimrit dhe blerjeve të Vlahovic dhe Zakaria-s, nuk kemi më justifikime dhe edhe unë mendoj se këtë vit mund të fitojmë në Europë. Cilësia nuk na mungon.
Për kombëtaren: Anglia ishte më nervoze. E ndiente presionin që luante në Wembley. Ne, në disavantazh 1-0, ishim të sigurt se mund të barazonim dhe kemi ruajtur qetësinë. Kështu ka ndodhur. Te penalltitë kemi qenë pak me fat, por kjo është pjesë e futbollit.
Për kundërshtarët: Dikur e kisha të nevojshme të luaja kundër një ‘armiku’. tani, ‘armiqtë’ janë bërë ‘miq që luajnë kundër meje’. Më parë kisha një marrëdhënie shumë të keqe me sulmuesit kundërshtarë, ndërsa sot flas, diskutoj, qesh. Kam zbuluar se më parë harxhoja më shumë energji duke luftuar me ta. Paraqitjet e mia janë përmirësuar pasi kam ndryshuar qëndrim.
Tërheqja: Nuk e di, ndoshta do të marr në fillim Ibrahimovic-in dhe do të këshillohem me të para se të marr një vendim.