A paraqet një dështim për Juventusin humbja e rëndë në shtëpi kundër Villarrealit, që i kushtoi eliminimin nga Liga e Kampionëve? Massimiliano Allegri dhe Maurizio Arrivabene, absolutisht nuk duan të dëgjojnë për dështimin.
Nëse trajneri ia ka mbyllur derën “ndershmërisë intelektuale” duke shtyrë buxhetet për më vonë, drejtori menaxhues iu është referuar objektivave të fillimit të sezonit, që është vendi i katërt. Mirëpo, ka nga ata që nuk janë aspak dakord me këto qëndrime. Antonio Cassano e ka kritikuar hapur trajnerin bardhezi.
Duke folur në takimin e zakonshëm të “Bobo TV”, ish-sulmuesi barez e nisi analizën e tij nga ajo që u pa në Juventus-Villarreal: “Unë them që Juve nuk luajti një ndeshje të mirë, sepse për herë të parë pashë një ekip të Emery që t’ia linte topin kundërshtarit, duke ngadalësuar lojën qëllimisht. Një ekip si Juve nuk mund të hyjë në pjesën e dytë dhe të bëjë gjëra të tilla të turpshme. Bardhezinjtë nuk bënë një goditje në portë”.
Përveç trajnerit të Juventusit, në bankën e të akuzuarve përfundoi edhe CEO, Arrivabene. Sipas Cassano, ky i fundit nuk ka kompetencën e duhur për futbollin, në dritën e përvojës së tij të grumbulluar në botën e motorsportit:
“Çmendem kur dëgjoj ‘mos na lini funeralin’ apo Arrivabene që thotë ‘qëllimi ynë ishte i katërt’. Ai ishte te makinat deri vitin e kaluar, tani merret me futboll. Juve nuk luajti kurrë mirë. Nëse trajneri nuk iu jep lojtarëve një ide, atëherë do të katandisesh kështu”.
Përfundimi? Cassano nuk ka dyshime, Juventusi duhet të ndryshojë trajner, sepse filozofia e tyre (ajo e “grykës së shkurtër”) është e vjetëruar. Gjuha është plot ngjyra për një mesazh të fortë dhe të qartë: “Futbolli ka ndryshuar, kemi nevojë për ide. Duhet të evoluojmë. Llogaria e gabimeve të skuadrës i vjen në fund Juves.
Nuk mund t’i japësh shanse një personi që e bën skuadrën e tij të luajë në këtë mënyrë. Allegri nuk evoluon, ka gjithmonë një mijë alibi, thotë se synimi i tij është vendi i katërt. Nëse do të isha president do t’i kisha thënë lamtumirë dhe faleminderit. Nuk mendoj se Agnelli është i lumtur të vazhdojë të çojë dëm paratë me të njëjtin dështak”.