Çmimet e naftës u rritën sërish këtë të hënë në bursë, pas uljes së vazhdueshme që pësuan për disa ditë. Nafta e papërpunuar Brent (BZ=F) u rrit 3.8% në 111.96 dollarë për fuçi. Ndërsa nafta e papërpunuar e lehtë (CL=F) ishte 4% më e lartë në 108,90 dollarë në tregtimin elektronik në bursën tregtare të Nju Jorkut. Njoftimi se Bashkimi Evropian po diskuton një embargo ndaj importeve të naftës ruse në përputhje me aleatët e tij perëndimorë, ka ndikuar sërish në çmimet mbi 100 dollarë për fuçi.
Analistët thonë se rritja erdhi edhe sepse rebelët Houthi shënjestruan vende të ndryshme të naftës dhe gazit Saudi Aramco (2222.SR) në të gjithë mbretërinë gjatë fundjavës. Një pjesë e prodhimit u ndërpre përkohësisht, duke nxitur shqetësime në një treg tashmë të trazuar. Ndërkaq, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka publikuar së fundmi raportin e Muajit Mars për Tregjet e Naftës ku theksohet se rritja e çmimeve të mallrave dhe sanksionet ndërkombëtare të vendosura kundër Rusisë do të frenojnë ndjeshëm rritjen ekonomike globale.
“Perspektiva e bllokimit në shkallë të gjerë të prodhimit rus të naftës po rrezikon të shkaktojë një shok global të furnizimit me naftë. Përballë asaj që mund të kthehet në krizën më të madhe të furnizimit në dekada, tregjet globale të energjisë janë në një udhëkryq”, thotë raporti.