Armando Broja po shkëlqen në sezonin e tij të parë te Southampton. Sulmuesi shqiptar u përshtat shpejt me skuadrën e re, duke mahnitur të gjithë në ST Mary Stadium.

Në sfidën e fundit, 20 vjeçari ishte larg pritshmërive, ku u vlerësua si një nga më të dobëtit në fushë, në atë disfatë 1-2 ndaj Newcastle. Broja la fushën duke çaluar, pas një dëmtimi që erdhi nga një duel me kundërshtarin. Gjithsesi, vlerësimi për të nuk mund të bëhet për një ndeshje.

Sulmuesi ka shënuar 6 gola deri më tani në kampionat, duke lënë prapa Lukakun e Chelseat me 5 gola dhe Firminon e Liverpoolit me 4 gola. Kartoni i Armando Brojës zotërohet nga Chelsea, ekip në të cilin do kthehet në verë.

E ardhmja është e paqartë për të, pasi te blutë e Londrës, reparti i avancuar është tejet i dendur. Me interes të madh pritet të shihet se çfarë do të ndodhë, sakaq e vetmja gjë që mund të themi me siguri është se një yll i ri shqiptar po bëhet gati të shkëlqejë. Southamton renditet në vendin e dhjetë të kampionatit, ku pas 28 ndeshjesh ka grumbulluar 35 pikë.