“Kemi një dorëheqje thuajse të imponuar të Bashës, nuk ishte një reagim i menjëhershëm pas 6 marsit. Dorëheqja po shoqërohet me një truk, zgjedhjet për kryetarin e ri të shtyhen pas zgjedhjeve lokale, pas një vitit e disa muaj. Kjo e bën të pavlefshme dorëheqjen e tij”. Kështu u shpreh mëngjesin e së mërkurës në Dita Jonë në A2 CNN deputeti i PD Ervin Salianji teksa foli për dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe të ardhmen e PD. Më tej, Salianji theksoi se dorëheqja edhe e Sali Berishës nga gara për kryetar do të sillte bashkim të demokratëve. “Unë do të doja një dorëheqje të plotë, nuk është dorëheqja me tërheqje këmbë zvarrë. Iku dhe nuk iki, kjo është një tentativë për t’u tallur me demokratët. Duhej që kandidatët të shfaqnin platformat dhe dorëheqje të Berishës. Kjo do të sillte që PD të bashkohet.
Grupi i PD ka pasur qëndrim të qartë për dorëheqjen e Bashës. Tani jemi në kushtet që duhet të kuptojmë se çfarë do të ndodhë. Nëse është një truk do të reagojmë, pasi kjo është tallje. Interesat personale nuk mund të marrin peng një parti politike”, tha Salianji.