Nga Plator Nesturi/
Të nesërmen e zgjedhjeve të pjesshme vendore gjithkush nga pjesëmarrësit pati diçka për festuar. PS që arriti të fitojë pa mund e djersë 5 nga bashkitë në rivotim, Foltorja festoi faktin se mundi Bashën, ndërsa Basha vetë festoi 7 marsin me mësuesit. Ndërsa ishte parashikuar fakti që PS do të fitonte lehtësisht kur konkurentët në garë më së shumti do të rivalizonin njëri tjetrin, kjo nuk përbënte ndonjë surprizë. Ndarja e PD në dy fraksione dhe që prej muajsh kanë hedhur kaq vrer e gaz lotsjellës mes njëri tjetrit, natyrshëm që do të ndikonte te squllja e betejës ndaj maxhorancës. Për PS nuk kishte garë dhe pa ndonjë impenjim të madh mori 5 nga 6 bashkitë që rivotoheshin. Por surpriza ishte tjetër kund. Diferenca e shifrave të fitores ishte katastrofale pasi dhe nëse bashkohen votat midis dy PD-ve, maxhoranca kish arritur një raport dy deri në tre herë më shumë vota sesa kundërshtarët së bashku, çka e është dhe shëmbëlltyra e qartë e krizës që ka përfshirë PD-në dhe opozitën. Ndaj nëse lexojmë votën nga kjo pikëpamje, mesazhi që jepet është se tashmë në Shqipëri, për fat të keq, ka vetëm një alternativë qeverisëse dhe kjo është PS. E djathta, me këto shifra, qoftë e bashkuar apo e përçarë, është tepër larg për të qenë një alternativë që synon pushtetin. Në analiza që merren me fatin e opozitës më së shumti mëshohet fakti, thua se përbën ndonjë triumf, që Berisha arriti ta mposhtë Bashën në këtë betehë zgjedhore, pasi arriti të mbledhë më shumë vota e të renditet i dyti. Dhe kjo shërben si argument që Berisha me të tijtë janë opozita e vërtetë. Por nëse i marrim në shifra opozita në fakt është tretur. Foltorja plus LSI janë tek 20%, PD e Bashës tek 10%, ndërsa diferenca është tek maxhoranca. Nëse opozita e vërtetë qenka e kënaqur me 20 përqind të votave dhe i mjafton vetëm fakti që i është mbivendosur Bashës, atëhere rruga që i duhet të ndjekë për tu bërë faktor i bie të jetë shumë e gjatë e me shumë të panjohura. Zgjedhjet nëse vlejtën për diçka është që opozita ta shohë krizën e vërtetë në sy. Mesazhi i votës qytetare, si me mospjesmarrjen ashtu dhe me abandonimin e sherrxhijve të së djathtës, ishte se atij pak i intereson nëse Basha e Berisha përplasin brirët me njëri tjetrin. Ndryshe nga anëtari i PD apo militanti, ai kërkon alterantiva që kontribuojnë si për komunitetin ku jeton ashtu dhe më gjerë. Dhe këto nuk i sheh më tek PD apo tek dy pjesët e mbetura të saj. Nisur nga kjo liogjikë pak rëndësi ka edhe fakti se kush është para me vota nga të dy palët kur ndërkohë besueshmëria dhe vota për ish PD-në po firojnë. Dy gjysma nuk e bëjnë dot një të tërë dhe kjo u pa dhe nga rezultati i votave ku shuma e grumbulluar nga të dyja palët ishte tepër larg nga ajo që arrinte të grumbullonte PD në ditën e saj më të keqe. Këtë mesazh dinë ta lexojnë në fakt të dyja palët por qasja për të gjetur zgjidhje nuk ka ndryshuar qëkurse filloi përplasja e dhunshme midis tyre. Edhe vetë Berisha e kupton faktin se rezultati që mori bashkë me LSI, është tepër larg bastit që kish vënë se ai vetë është opozita, qoftë edhe në mungesë të vulës. Mbetet padyshim një pol më i rëndë se vetë Basha, por pamjaftueshëm për të imponuar që të strehohen në krahët e tij pjesa tjetër e partisë, e deputetëve apo edhe e strukturave. Berisha thjesht vërtetoi se mbetet një makineri shkatërruese, siç shkatërroi Bashën, por larg së qëni ndërtuese.
Vështirë të mendohet se Berisha mund të ringrejë sërish PD-në. Kriza e sotme që ka mbërthyer partinë më të madhe opozitare ka ndër kontribuesit më të mëdhenj si shkaktar pikërisht Berishën, ndaj do të ishte absurd që riformatimi të bëhet më të njëtin program difektoz. Madje mund të thuhet se fakti pse Basha po i bën rezistencë dorëheqjes si kryetar, është pse është Berisha ai që po e mban atë si kryetar. Argumenti i përdorur nga kreu aktual se nuk do tia lerë partinë një personi të shoallur non grata nga SHBA, është dega e fundit ku Basha mbahet. Ca më tepër kur dje Berisha u shpreh në media se nuk heq dorë nga kandidatura e tij si kryetar i PD-së. Shumë demokratë, për të cilët është bërë e qartë prej kohësh që Basha mbetet një lider i dobët e që nuk jep frymëzim për fitore, nga ana tjetër nuk do të dëshironin ti futeshin një aventure duke rikthyer në fuqi Berishën që i ka shpallur luftë SHBA-ve dhe që tenton ta përdorë partinë si mburojë për interesat e tij. Ky fakt do të ish një dhuratë tjetër për Ramën e maxhorancën ndërsa PD do të harxhonte energjitë e saj për të mbrojtur Berishën. Po kështu do i largohet përfundimisht edhe ai elektorat që tashmë ka nisur ta braktisë. Skenarët se çfarë do të ndodhë në PD mbeten ende të paqartë. Trysnia nga rradhët e deputetëve që Basha të japë dorëheqjen ka tronditur përfundimisht gjithshka dhe fati i kryqëzimit të kryetarit duket i vendosur. Nga ana e Foltores ama asgjë nuk duket se po lëviz dhe ky është shembull i keq se beteja mes palëve do të vazhdojë. Nga ana e Berishës duket se është llogaritur gabim fakti që deputetët që i kanë dalë kundër Bashës do të shkojnë në vathën e tij. Dikush mbase shkon, por shumica e sfidantëve të rinj të Bashës, edhe nëse ky i fundit nuk jep dorëheqjen, më shumë janë të mendjes që të krijojnë një grup të ri parlamentar e të pavarur, se sa të bashkohen me grupin e Foltores. Fakti që Basha duhet të lirojë vendin jo domosdoshmërisht nënkupton që të rikthehet aty Berisha. Këtë qëndrim pjesa më e madhe e deputetëve rebelë të PD e kanë shprehur qartë ndërsa i kërkojnë Bashës largimin. Çështja që ende mbetet e paqartë është nëse do arrijë ti mbajë në kontroll Berisha deputetët që i janë atashuar në Foltore, apo pas kësaj dhe një pjesë e tyre do i bashkohen grupit të “rebelëve”. Beteja në PD sidoqaftë duket se do të zgjasë.