Deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferraj, pas kërkesës për dorëheqjen e tij të bërë mbrëmjen e djeshme në grupin parlamentar, ka shkruar edhe sot me një status në Facebook.
Reagimi i plotë i Ferdinand Xhaferrajt:
Mbrëmë, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, kam kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i Kryetarit të Partisë Demokratike.
Alternativa që PD paraqet nën lidershipin e tij qartazi nuk është e pëlqyer as nga baza e partisë, as nga votuesit e djathtë, as nga elektorati gri.
Unë refuzoj të pranoj se Lulzim Basha nuk ka humbur asnjë garë. Po njësoj refuzoj të pranoj se PD është e ndarë ndërmjet Bashës dhe Berishës dhe s’ka opsion përtej tyre. Themelet e një opozite të vërtetë, siç e meritojnë demokratë dhe më gjerë, hidhen duke dalë së pari nga kurthi i kultit të individit.
Grupi Parlamentar i PD-së e ka kapacitetin dhe mbi të gjitha përgjegjësinë të prodhojë një lidership të ri që të nisë procesin e vështirë por shpresëdhënës të ringritjes së partisë.