Kryegjyshi botëror i bektashinjve, Baba Mondi ka mbajtur fjalën e tij në festimet e ditës së Sulltan Novruzit. Lutjet e kryegjyshit botëror kanë shkuar për luftën në Ukrainë.

Ai thotë se lutet që lufta të përfundojë dhe se kryegjyshata e familjet bektashiane do të jenë të hapura për të pritur njerëzit në nevojë. Gjithashtu, lutjet s’kanë munguar as për Shqipërinë, ku urimi i Baba Mondit ishte që ditët të jenë sa më të begata dhe të mbizotërojë shpresa.

“Lutemi që lufta në Ukrainë të përfundojë. Familja duhet të jetojë e lumtur dhe jo e ndarë. Imam Aliu thotë, mos u bëj rob i të tjerëve kur Allahu të ka lindur të lirë. Me këtë mesazh lutjeje, ju siguroj që Kryegjyshata do të ketë derën e hapur për familjet në nevojë. Zemrat e bektashinjve do të jenë të hapura për këtë popull. Ne jemi shpirtërisht me zemër pranë njëri-tjetrit, mbi të gjitha për t’u gjetur sa më parë atyre që humbë strehën dhe sofrën në luftë.

Lutjet tona shkojnë për Shqipërinë, që begatia, harmonia e shtruar këtë ditë të begatë të mos mungojë. Ne po rrëfejmë dhe kemi bashkuar dy familjet, duke lutur për të dhënë forcë dhe shpresë. Lulëzimi i kësaj dite të re të lulëzojë shpresa të reja. Ndihmo që të ndihmohemi, Imam Ali, Zoti ju bekoftë të gjithëve Amin!”, tha Baba Mondi.