Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Elbasanit Damian Gjiknuri pas vizitave dhe urimit për të gjithë besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Novruzit gjatë një komunikimi me mediat në qytetin e Elbasanit ka komentuar edhe dorëheqjen e Lulzim Bashës si drejtues i Partisë Demokratike. Damian Gjiknuri tha se në dukje ky është akti i parë fisnik i një humbësi kronik, një veprim të cilin duhet ta kishte bërë me kohë.
“Dorëheqja e Lulzim Bashës në dukje është akti i parë fisnik i një humbësi kronik do ta quaja që duhet ta kishte bërë me kohë, megjithatë ne si PS nuk është se kemi vëmendjen se çfarë po zhvillohet në PD, por njëkohësisht unë e kam thënë dhe më parë që PD apo opozita shqiptare ka hyrë në një cikël të vështirë shkërmoqje me shumë flukse. Për disa njerëz akti i dorëheqjes mund të duket si fillimi i fundit të këtij procesi, por mund të jetë dhe fundi i fillimit të shkërmoqjes, këtë do ta shohim, mendoj që mund të jetë më shumë kjo e dyta. Megjithatë ne jemi duke parë zhvillimet në PD, por vëmendjen e kemi tek qytetarët shqiptarë, tek problemet që ka vendi. Ne shpresojmë që opozita një ditë të riformatohet për të mirën e saj, edhe për të bashkëpunuar për të mirën e Shqipërisë, por gjithsesi ata kanë probleme me veten e tyre. Ne jemi këtu që të komunikojmë me qytetarët shqiptarë, të ndihmojmë qytetarët shqiptarë, qeveria, maxhoranca, për të përballuar të gjitha këto vështirësi që i kanë shkaktuar ngjarjet ndërkombëtare”, tha Gjiknuri.
Ai deklaroi më tej se riformatimi i tyre do kërkojë kohë, do ta ketë shumë të vështirë besoj, megjithatë koha do ta tregojë. “Ne i presim në komisionet përkatëse që ata vetë i kërkuan, në çdo kohë që ata janë të gatshëm”, tha ai.