I Dërguari i Posaçëm i sapoemëruar i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazi do të zhvillojë të enjten (17 mars) bisedime me Kryeministrin Edi Rama, ministren e Jashtme Olta Xhaçka, si dhe deputetë, përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile, si pjesë e vizitës së tij të parë zyrtare në Tiranë.

“Për mua është shumë e rëndësishme që fill pas marrjes së detyrës si i Dërguari i Posaçëm i qeverisë gjermane të vizitoj personalisht të gjitha vendet e rajonit. Me këtë dua të bëj të qartë se Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe perspektiva e anëtarësimit në BE për të gjithë rajonin janë të një rëndësie strategjike për Gjermaninë. Kjo ka prioritet të lartë”.

Ai do të marrë pjesë gjithashtu në konferencën rajonale “Balkan Dialogues”. Sipas tij, Qeveria Federale po angazhohet me gjithë forcën e saj për nisjen sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Kjo është në interesin tonë të përbashkët dhe vendimtare për stabilitetin në rajon dhe rrjedhimisht edhe për Evropën”.