Për Ukrainën sot është dita e 32-të e luftës, që kur Rusia filloi sulmin ushtarak. Ministria e Mbrojtjes në Ukrainë ka akuzuar Moskën se po përdor ‘bomba thërrmuse’ të ndaluara nga konventat ndërkombëtare.
Ndërkohë gjatë natës sërish pati shpërthime të reja në Kiev, të cilat shkaktuan 4 të plagosur, mes tyre dhe një fëmijë. Sakaq gjenerali Kirill Budanov, kreu i shërbimit të inteligjencës ukrainase, tha se meqenëse Rusia e ka kuptuar se nuk mund të pushtojë të gjithë vendin, presidenti Vladimir Putin po kërkon që të ndajë vendin në dy rajone dhe njërin ta kontrollojë Moska.
Në Republikën e vetëshpallur të Luganskut, po shfaqet hipoteza e një referendumi për aneksimin në Rusi. Presidenti u Ukrainës Vladimir Zelensky i bëri thirrje Perëndimit për më shumë armë. ‘Ne kemi nevojë për armë. Pa tanke dhe aeroplanë nuk do ta shpëtojmë Mariupolin’. Sakaq një tjetër gjeneral rus u vra në Kherson, i shtati sipas disa burimeve.
Nga Izraeli, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, siguroi se Shtetet e Bashkuara nuk po ndjekin një strategji për të ndryshuar regjimin në Rusi.