Fitorja e Interit ndaj Liverpulit ishte nga ato fitore që pavarësisht se nuk shijoi, u dha shumë zikaltërve. Goli i Lautaro Martinezit, një bukuri për sytë, konfirmoi se sulmuesi është ringjallur.
E kur i gëzohet rikthimit të Lautaros, Interi duhet të rikthejë edhe një herë tjetër traditën e deritanishme, rezultatet pozitive pas Champions-it.
Milanezët kanë treguar se nuk e vuajnë impenjimin europian, ndërsa pas të gjashta ndeshjeve të fazës së grupeve, fill në sfidën pasardhëse të kampionatit, kanë arritur të marrin 4 fitore dhe 2 barazime.
Seria e suksesshme u ndërpre pas humbjes ndaj Liverpulit, që u shoqërua me një tjetër ndaj Sasuolos dhe me Torino në prag, Interi duhet të rigjejë vetveten.
Fundja, nuk duhet të jetë e vështirë pas rikuperimit të shënjestrës së Lautaros. Simone Inzagi duhet ta aplikojë edhe te skuadra kurën e tij, atë që risolli argjentinasin ën rrugën e duhur.
Rilindja e “Demit” – Raporti mes Inzagit dhe Lautaros ka qenë gjithmonë i ngushtë, që nga dita e parë e prezantimit në Apiano Xhentile dhe u përforcua edhe më shumë kur të dy “u braktisën” nga Lukaku.
Simone e ka nxitur të bëhej lider dhe Lautaro nuk zhgënjeu në nisje.
Por ndërsa paraqitjet e kampionatit ishin të mira, ato në Champions nuk bindnin dhe me Xhekon rrallëherë kimia gjendej.
Tekniku i zikaltërve nuk u dorëzua dhe nuk hoqi dorë nga asnjëri prej tyre, diçka që i ka dhënë frytet vetëm këtë vit kalendarik. Ishte ai që insistoi që të dy të luanin krah njëri-tjetrit edhe në periudhën më të errët të Lautaros, duke mbajtur mbi shpinë edhe kritika të shumta për zgjedhjet e tij.
Jo vetëm nga ana psikologjike u përpoq të ishte faktor për “Demin” duke i siguruar qetësi, por mbi të gjitha në mënyrën si e poziciononte në fushë.
Trajneri zgjodhi ta vendoste më afër portës, duke e bindur të shmangë kthimin mbrapa për të ushtruar presion, një mënyrë kjo për t’i kursyer energji dhe për të ruajtur përqendrimin tek ajo që duhej: të gjente golin.
Lautaro e gjeti, por e di që për këtë nuk duhet të falënderojë vetëm trajnerin e Interit, por edhe atë të kombëtares. Lionel Skaloni ka qenë ai që e ka siguruar bomberin më të mirë të epokës së tij në krye të bardhekaltërve, që pavarësisht momentit të vështirë do të ishte ai lideri i Argjentinës në Botërorin e dhjetorit.
Një garanci që duket se i ka shërbyer shumë Lautaros që me cilësitë që ka, synon të fitojë gjithçka si me klubin dhe me kombëtaren. Dhe me klubin rruga drejt titullit kalon nga Torinoja, ndaj së cilës një fitore do të thoshte një hap më afër trofeut.