Nga Justin Bronk “The Spectator”
Për analistët ushtarakë, lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, ka sjellë 3 surpriza të mëdha. E para ka të bëjë me vështirësitë e konsiderueshme me të cilat përballet ushtria ruse, sa i përket logjistikës, koordinimit të forcave, moralit dhe lëvizshmërisë.

E dyta me dështimin e forcave ajrore ruse për të pasur epërsi mbi mbrojtjen ajrore të Ukrainës, dhe për të operuar në shkallë të gjerë kundër forcave tokësore të Ukrainës. Dhe surpriza e tretë ka qenë uniteti dhe efektiviteti i jashtëzakonshëm i rezistencës ukrainase, e cila e ka ngadalësuar ndjeshëm përparimin rus në veri të Ukrainës, duke i shkaktuar humbje të mëdha në trupa dhe mjete ushtrisë ruse në të gjitha frontet.

Por fatkeqësisht, asnjë nga këta faktorë nuk e ndryshon prognozën e përgjithshme, se është shumë e mundshme një fitore ushtarake e Rusisë gjatë fazës luftarake konvencionale të kësaj lufte. Ka shumë prova, se forcat e armatosura ukrainase morën pak ose aspak paralajmërim se do të ndodhte pushtimi.

Fushata ruse e dezinformimit strategjik – e cila sillej rreth mohimeve kategorike të paralajmërimeve perëndimore mbi një pushtim të afërt – pati sukses në parandalimin e mobilizimit ushtarak nga qeveria ukrainase apo kryerja e përgatitjeve për një rezistencë civile.

Gjithsesi, kjo do të thoshte gjithashtu se kur ushtria ruse hyri në Ukrainë, e bëri këtë me një koordinim shumë të dobët, dhe pa asnjë nga mjetet logjistike apo planifikimet ushtarake që do ta lejonin atë të ndërmerrte operacione ushtarake të qëndrueshme.

Përkundrazi, plani kryesor duket se ka qenë mbështetja tek operativët e infiltruar dhe forcat speciale, për të vrarë apo kapur liderët ukrainas kryesorë, dhe futja e trupave me automjete të lehta dhe të mesme për të rrethuar me shpejtësi qytetet, me shpresën e një kolapsi të shpejtë të Ukrainës dhe nisjen e bisedimeve për dorëzim.

Por kjo gjë nuk ndodhi. Në veri të vendit pranë Kharkiv-it, dhe në veri të Kievit, kolonat e ushtrisë ruse që nuk kishin artilerinë, armët e kalibrit të rëndë dhe mbështetjen e mbrojtjes ajrore, hasën në një rezistencë të ashpër të ukrainasve. Viktimat në radhët e rusëve ishin të shumta.

Shumë njësi i braktisën automjetet e tyre, dhe iu dorëzuan në masë ukrainasve. Parashutistët Elitë të Rusisë (VDV), ndërmorën sulme të guximshme, por në dukje të pakoordinuara me helikopterë, sidomos në aeroportin Hostomel në veriperëndim të Kievit.

Por duke qenë shumë larg nga forcat tokësore miqësore që mund t’i përforconin me shpejtësi, ato sulme u përballën me kundërsulme të shpejta nga forcat e reagimit të shpejtë ukrainas, dhe viktimat si nga personeli i VDV ashtu edhe humbjet në helikopterë kanë qenë të shumta.

Kjo është shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh se përveç njësive sulmuese çeçene, VDV është e vetmja njësi sulmuese që ka treguar deri më tani një agresion të konsiderueshëm luftarak dhe moral të qëndrueshëm.

Ndërkohë në radhët e trupave ruse, ka pasur raste të vazhdueshme të vetë-sabotimit të automjeteve, një normë të lartë të dorëzimit tek armiku, sidomos tek njësitë që ishin të shkëputura nga pjesa tjetër e forcave ruse, dhe një narrativë të qëndrueshme midis trupave të kapura rob, se ata mendonin se do të shkonin në një stërvitje dhe jo në operacione luftarake, dhe se nuk kishin dëshirë të luftonin në Ukrainë.

Reagimi i Moskës ndaj përparimit të ngadaltë dhe shumë viktimave në veri dhe verilindje, ka qenë dërgimi i trupave shtesë dhe i pajisjeve nga Bjellorusia dhe Belgorodi, për të plotësuar rrethimin e qyteteve Kiev, Kharkiv, Sumy, por edhe qyteteve më të vogla.

Por dështimet logjistike kronike, përfshirë paaftësinë e dukshme për të avancuar jashtë rrugëve automobilistike, për shkak të praktikave të dobëta të mirëmbajtjes së gomave dhe terrenit me baltë në Ukrainën Veriore në këtë periudhë të vitit, kanë sjellë bllokime të mëdha të pajisjeve ushtarake ruse, të cilat kanë bërë pak progres në më shumë se 3 ditë.

Për shkak të afërsisë së tyre me kufirin rus, qytetet Kharkiv dhe Sumy janë rrethuar me sukses, duke iu nënshtruar bombardimeve të rënda. Por forcat ruse nuk janë ende në gjendje të depërtojnë në shkallë të gjerë në asnjërin prej tyre. Edhe përreth Kievit, sulmi është ndalur për 3 ditë, duke pasur vetëm luftime të kufizuara në periferinë veriore të qytetit, teksa ushtria ruse po rigrupohet.

Në Ukrainën Jugore, forcat ruse kanë përparuar më shpejt. Kjo pjesërisht për shkak të afërsisë së bazave ruse të furnizimit në territorin e aneksuar të Krimesë, dhe pjesërisht për shkak të një numri shumë më të paktë të forcave ukrainase, që ishin stacionuar atje për të mbrojtur kufirin me Gadishullin e Krimesë.

Terreni i sheshtë bujqësor atje, favorizon një forcë sulmuese me një fuqi të madhe zjarri. Dhe vetë Ukraina ka zgjedhur të shmangë betejat e mëdha jashtë qyteteve. Thuhet se qytetet Kherson dhe Melitopol kanë rënë në duart e trupave ruse, dhe porti kryesor jugor i Mariupolit është i rrethuar, dhe ka qenë prej disa ditësh objekti i bombardimeve të rënda.

Por edhe në jugun e Ukrainës, trupat ukrainase kanë vazhduar të kapin pajisje ushtarake ruse, dhe të shkaktojnë një shkallë të konsiderueshme viktimash. Forcat ruse kanë kryer sulme nga territoret e pushtuara të Donetsk dhe Luhansk, duke shënuar një lloj përparimi.

Një nga arsyet e përparimit rus më të ngadaltë se sa pritej dhe i viktimave më të shumta në numër, është se forcat ruse të hapësirës ajrore, nuk kanë arritur deri më tani të kryejnë operacione ajrore në shkallë të gjerë me mbi 300 avionë luftarakë modernë.

Ndërsa sulmet fillestare me raketa shmangën me sukses radarët ukrainas, dhe shkaktuan disa dëme në sistemet e e vjetruara ukrainase S-300P, ato nuk e shkatërruan dot forcën ajrore të Ukrainës. Ka të ngjarë që forcat ajrore ruse të mos ishin mobilizuar në një shkallë shumë të gjerë, dhe gjatë ditëve të para të pushtimit, Shtabi i Përgjithshëm rus mund të ketë shpresuar se një ndërhyrje e tillë nuk do të ishte e nevojshme.

Edhe rezervat e kufizuara ruse në municione që godasin me saktësi të madhe, dhe pilotëve të aftë në përdorimin e tyre, nënkupton se avionët sulmues rusë kanë aftësi të kufizuara për të gjetur, identifikuar dhe goditur nga ajri trupat dhe automjetet ukrainase.

Morali i lartë dhe rezistenca e ashpër e shfaqur nga forcat ukrainase, bien në kontrast të fortë me performancën e ushtrisë ruse gjatë javës së parë të pushtimit. Sanksionet e rënda dhe izolimi diplomatik po i shkaktojnë kosto të mëdha qeverisë por edhe qytetarëve ruse.

Por pavarësisht dëmeve serioze gjeopolitike dhe ekonomike, gjasat që udhëheqja ruse të tërhiqet për shkak të arritjeve të saj të dobëta ushtarake deri më tani janë thuajse zero. Përkundrazi ushtria ruse do të vazhdojë thuajse me siguri qasjen që po ndjek tashmë në Kharkiv dhe Mariupol.

Ajo do t’i rikthehet përdorimit të armëve më të rënda dhe taktikave brutale të rrethimit urban, për të provuar thyerjen e vullnetit të ukrainasve për të luftuar. Mungesa e përgatitjes dhe e ushqimit, ilaçeve, ujit dhe municioneve nga qeveria ukrainase në javët para pushtimit, do ta përkeqësojë katastrofën humanitare që tashmë ka filluar.

Por forcat ruse do të bllokohen në një vend që është i bashkuar kundër tyre, për shkak të linjave të cenueshme të furnizimit, dhe duke u përballur me moralin e dobët, dhe me një fluks të shpejtë të armatimeve moderne që vjen vazhdimisht nga Perëndimi për forcat ukrainase. Javët e ardhshme mund të jenë edhe më katastrofike për ushtrinë ruse. Por ukrainasit po përballen tashmë me katastrofën, dhe faza tjetër e luftës do të jetë më e keqe.

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al