Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ka informacione që situata në Kremlin është problematike, për faktin se lufta në Ukrainë nuk po shkon sipas planeve të Vladimir Putin. “Putin duket se është vetizoluar dhe ka disa indikacione se ka pushuar dhe ka vendosur në arrest shtëpie disa nga këshilltarët e tij. Por nuk dua të spekuloj më shumë për këtë”, tha Biden në një konferencë për mediat.

Presidenti amerikan u pyet nga gazetarët lidhur me deklaratën e bërë më herët nga Shtëpia e Bardhë, sipas të cilës, Putin po keqinformohet për luftën e madje nuk po informohet as mbi ndikimin e plotë të sanksioneve tek ekonomia ruse. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, i cilësoi si të pakëndshme vlerësime të tilla, pasi një Putin i painformuar mund të mos përpiqet t’i japë fund konfliktit, përmes negociatave të paqes.

Biden tha gjithashtu se nuk ka dëshmi të qarta nëse Rusia po largohet nga Kievi. “Jam skeptik për tërheqjen dhe rigrupimin rreth Donbasit. Deri tani nuk ka dëshmi që ta ketë bërë këtë”, u shpreh ai.

Presidenti amerikan gjithashtu deklaroi se ka ndërmend të zhbllokojë 1 milion fuçi nafte në ditë nga rezervat amerikane dhe se priste që një gjë të tillë ta bënin edhe shtetet aleate. “Imagjinojeni nëse Europa nuk do të ishte e varur nga Rusia për gaz, gjithçka do të ishte ndryshe”, tha Biden.