Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka përcjellë me shumë shqetësim transmetimin e mbrëmshëm (22.03.2022) të rastit të keqtrajtimit me kanosje të gazetares dhe kameramanit të emisionit “Fiks Fare” nga dy punonjës të një stabilimenti shpendësh në Durrës. Ekipi i medias ishte duke bërë detyrën në terren për hetimin e problematikave dhe ndjeshmërive të opinionit publik.

Dy punonjësit kanë penguar punën e gazetarëve të “Fiks fare”, kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, si dhe kanë sekuestruar dhe dëmtuar mjetet e punës të kameramanit. Ky është një rast flagrant kundër lirisë së fjalës, që cënon veprimtarinë e medias për transparencë. AMA dënon akte të tilla nga kushdo dhe kërkon respektimin e të drejtave të gazetarëve për informim në shërbim së mirës publike.