Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se mbështetja e udhëheqësisë së grave në mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare është çelësi për arritjen e qëllimit të përbashkët për ndërtimin e një Shqipërie më paqësore dhe më të begatë.
Kim mori pjesë në Forumin e Grave në Ushtri, që u mbajt në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Në takim ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shefi i Shtabit gjeneral major, Bajram Begaj, dhe shefja e Shtabit të Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit, gjeneral brigade, Lisa J. Hou.

“Nuk mund të mendoj për një rast më të mirë për të festuar udhëheqjen ushtarake të grave dhe udhëheqjen në përgjithësi në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Kjo është një mundësi për të përsiatur mbi arritjet tona në barazinë gjinore dhe për t’u përkushtuar sërish për të bërë ndryshime aty ku ka ende boshllëqe”, tha Kim. Sipas saj, Shqipëria ka ndryshuar në mënyrë dramatike në 30 vitet e fundit.

“Dhe fakti është se ka ndryshuar për shkak të vullnetit të popullit shqiptar për të flakur poshtë diktaturën dhe për t’iu përkushtuar demokracisë. Unë besoj vendosmërisht se ky vullnet është një nga arsyet kryesore të lidhjeve të ngushta dhe të qëndrueshme mes popullit shqiptar dhe atij amerikan. Dhe janë vërtet të qëndrueshme ne po festojmë tani 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri”, u shpreh ajo.

Kim vuri në dukje se barazia gjinore ka të bëjë me dinjitetin njerëzor.

“Një pjesë e arsyes se pse lidhja është kaq e fortë është përkushtimi ynë i përbashkët ndaj demokracisë dhe dinjitetit njerëzor. Barazia gjinore ka të bëjë me dinjitetin njerëzor. Ka të bëjë edhe me forcën kombëtare. Vendet që heqin pengesat artificiale, që fuqizojnë gratë, që u japin të gjithë qytetarëve mundësi të barabarta për të mësuar dhe për të arritur sukses, natyrisht do të jenë më të forta dhe më të begata. Një mënyrë tjetër për ta thënë këtë është kjo: vendet që shtypin artificialisht aftësitë dhe kontributet e grave, i privojnë vetes aftësitë dhe kontributet e gjysmës së qytetarëve të tyre. Kjo është e vërtetë për ushtrinë. Mbështetja e udhëheqësisë së grave në mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare është çelësi për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët për ndërtimin e një Shqipërie më paqësore dhe më të begatë. Pjesëmarrja domethënëse e grave në të gjitha proceset vendimmarrëse që lidhen me konfliktin, krizën dhe sigurinë çon në rezultate më të mira dhe më të qëndrueshme, jo vetëm për gratë, por për komunitete dhe vende të tëra”, deklaroi Kim.

Kim u shpreh se Shqipëria po merr vëmendjen globale për një sërë arsyesh të forta.

“Ju ishit vendi i parë që mikpriti afganët që ikën nga talebanët vitin e kaluar dhe keni pritur me dinjitet dhe respekt në vendin tuaj gati 2500 afganë. Ju jeni tani në qendër të përgjigjes globale ndaj pushtimit të tmerrshëm të Ukrainës nga Rusia, përmes rolit tuaj në Kombet e Bashkuara. Vetëm javën e fundit, një rezolutë shqiptaro-amerikane mori një mbështetje historike, të pashoqe, duke dënuar Rusinë dhe duke mbështetur Ukrainën”, tha Kim.

Sipas saj, Shqipëria ka marrë vlerësime globale për përqindjen më të lartë në botë të grave ministre në kabinetin e saj, më shumë se 70 %. Kim shprehu vlerësim të veçantë për togeren Armela Murati, e cila do të jetë pilotja e parë femër e një helikopteri në Shqipëri. “Ajo që bën secila prej jush ndihmon për të frymëzuar të tjera. Ditë pas dite, drejtueset femra të Shqipërisë janë të përkushtuara për të ndihmuar jo vetëm shqiptarët këtu në vend, por edhe ata në nevojë jashtë tij. Ambasadoret, ministret, drejtoreshat dhe drejtueset e komuniteteve tuaja po i tregojnë botës se nuk ka rëndësi nëse je burrë apo grua, ajo që ka rëndësi janë rezultatet e punës tuaj dhe duhet të jeni jashtëzakonisht krenare për punën”, tha ajo.