Qeveria e Kosovës ka vendosur sot për themelimin e Grupit ndërinstitucional të punës për integrimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, NATO. Kryeministri iAlbin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se duke pasur parasysh prioritetin strategjik kryesor për anëtarësim në NATO, Ministria e Punëve të Jashtme ka propozuar formimin e Grupit për integrimin e vendit në NATO. “Objektivat kryesore të këtij grupi do të jenë avancimi i procesit të integrimit në NATO, përfshirja sa më e shpejtë e Kosovës në Partneritetin për paqe, anëtarësimi në Kartën e Adriatikut A 5, fuqizimi i pranisë së Kosovës në mekanizmat tjerë dhe intensifikimi i bashkëpunimit me aleatët strategjik ndërkombëtar”, tha Kurti.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla theksoi se politika e zgjerimit të NATO-s është krejtësisht në përputhje me aspiratën shtetërore të Kosovës, për t’u bërë pjesë e një aleance që mbron vlerat e përbashkëta, si paqen, sigurinë e demokracinë. “Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik kryesor i Republikës së Kosovës”, tha ajo, raporton Telegrafi.
Ministrja e Punëve të Jashtme tha më tej se Kosova ka dëshmuar përkushtimin për mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të përbashkëta si dhe përkushtimin të kontribuoj për paqe dhe siguri jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Ajo tha se veprimet dhe vendimet e shtetit të Kosovës e tregojnë qartë orientimin demokratik dhe paqedashës të shtetit tonë.