“Eksportet bujqësorë në dy muajt e parë të këtij viti u rritën me 14%”, deklaroi sot ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca gjatë një bashkëbisedimi me prodhues të grurit dhe fermerë përfitues të skemës së naftës, për të prezantuar Paketën e Rezistencës Sociale.
Krifca tha se “ne jemi me 14% rritje të eksporteve bujqësore për muajt e parë të këtij viti, dhe do ta kalojmë bashkërisht këtë sfidë nëse ecim pareshtur në këtë drejtim”.
Ajo nënvizoi se qeveria ka vendosur të ndikojë në absorbimin e kostove disi të bujqësisë në dy drejtime të ndryshme për fermerët.
“E para është se kemi vënë shumën 3.2 miliardë lekë nga buxheti i shtetit pjesë e skemës së mbështetjen e fermerëve, ky buxhet u shtua me shumën tjetër prej 500 milionë lekëve masa e mbështetjes për naftë. Kjo skemë e naftës po ecën mjaftë mirë, me 40% numër aplikimesh më shumë se vitin e kaluar, kjo tregon se politikat e qeverisë janë të duhurat. Kemi shkuar deri në 35 mijë aplikime dhe do mbahet e hapur deri në datën 30 mars, për të gjithë fermerët që duan të përfitojnë”, tha ministrja.
Nga ana tjetër, vijoi Krifca, ky 3.2 miliardë që tashmë është bërë 3.7 miliardë lekë, ndikon edhe në një masë tjetër të rëndësishme që është masa e imputeve bujqësore, për prodhimet ne serë, të rrushit të tavolinë dhe të luleshtrydhes.
Sipas saj, këto prodhime kanë ndikim në eksportet bujqësore, ndërsa shtoi se nëse fermerët aplikojnë në dy sezone të ndryshme mund të përfitojnë deri në 400 mijë lekë për inputet, fidanët të certifikuar.
“Këtë vit do të kalojmë me vendim të Këshillit të Ministrave ku do t’i kërkojmë fermerëve që të mbajnë edhe një regjistër, fletore fermeri, ku do shënojnë çfarë i kanë hedhur bimës. Do vijohet të mbështetet edhe blegtoria”, u shpreh Krifca.