Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca i bëri apel fermerëve të aplikojnë për të përfituar nga skemat e mbështetjes në Bujqësi, teksa solli në vëmendje se “thirrja është e hapur deri më 25 mars”.

“Ndiqni hapat për masat 1 deri 6 të mbështetjes, kushtet dhe mënyrën e aplikimit”, u shpreh Krifca. Ministrja theksoi se aplikimet kryhen online në portalin e-Albania por edhe në një nga 79 sportelet e bujqësisë që gjenden në të gjithë vendin. Skemat e subvencionimit mbështesin mbjelljet në serra për fara/fidanë dhe inpute të tjera me 200,000 lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermerë individualë ose grup-fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 ha dhe jo më shumë se 1,500,000 lekë për aplikant. Për ndërtimin e serrave diellore të reja për prodhimin e perimeve me sipërfaqe jo më pak se 1 ha dhe jo më shumë se 5 ha për subjekt, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ujitjes. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 13 000 000 lekë për ha.

Mbështetje për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike në vlerën 60 000 lekë/ha, për fermerë individualë ose grup-fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 ha, por jo më shumë se 1,000,000 lekë për aplikant. Fermat organike në vlerën 100,000 lekë, në vitin e dytë, 150,000 lekë, vitin e tretë 150,000 lekë dhe 200 000 lekë për fermë të certifikuar. Implementimi dhe certifikimi global GAP, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50 % të vlerës totale të faturës tatimore:

Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1 200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 10 krerë lopë, në vlerën 10 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt. Mbarështim i bletarisë me 1 000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje, por jo më shumë se 150 000 mijë lekë për subjekt. Mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, në vlerën deri në 950,000,000 lekë. Subjektet përfituese mbështeten me sasi nafte falas në barasvlerë të lehtësimit fiskal të naftës që përdoret për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore.