Ministrja e Energjetikës Belinda Balluku ka folur sot në konferencën për mediat për kërkesën e shoqatave të biznesit për rritjen e kapaciteteve të autoprodhuesve. Ajo tha se nuk është në dëshirën e saj apo të qeverisë dhe se kjo kërkesë do të thotë të kërkojnë subvencionim nga taksapaguesit shqiptarë përmes buxhetit të shtetit.
“Kapacitetet autoprodhuese nuk rriten as në dëshirën time dhe të kësaj qeverie, por janë të bazuara në studimet më të mira dhe në praktikat më të mira të tregut europiane. Autoprodhim do të thotë që një ndërmarrje që vendos që mbi tarracën e saj të prodhojë energji përmes paneleve diellore për vete. Në Shqipëri është lejohet që ky prodhim të mos jetë më shumë se 500 KWh. Shqipëria, Italia dhe Greqia e kanë më të lartë. Kosova 100KWh, Maqedonia 20KWh. Autoprodhim është mundësia që ne i japim bizneseve që të prodhojnë energjinë për të cilën kanë nevojë, por në ditët kur ata nuk nevojë, të kenë të drejtë ta hedhin në rrjet dhe kjo të shkëmbehet me energjinë që ne tregtojmë.
Do të thotë që një fabrikë mielli të bëhet prodhues i energjisë elektrike sepse ai do ta bëjë 1 megavat apo 2 megavat dhe të subvencionohet me para nga taksapaguesit nga buxheti i shtetit. Ata që e autoprodhojnë e kuptojnë shumë mirë dhe kjo nuk është një lojë për t’u bërë në kohë lufte apo kohë krizash. Qeveria shqiptare do vazhdojë të aplikojë një ligj për të cilin kam punuar vetë personalisht dhe jam ulur me qindra herë me ta. Ata nuk mund të vijnë sot tek qeveria dhe të kërkojnë që qeveria të marrë para nga taksapaguesit dhe t’iu kompensojë atyre energjinë. Nëse kjo ndodh atëherë ne jemi aksionerë në çdo fabrikë mielli, furrë buke, fabrikë pijesh freskuese. Ne subvencionojmë vetëm familjarin dhe për biznesin e vogël”, deklaroi Balluku.