Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ishte në Kavajë për të dorëzuar 206 apartamentet e Bllokut të Dytë, në Zonën 1, ku dhjetorin e shkuar u ndanë 153 apartamentet e Bllokut të Parë.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se: “Është kënaqësi e jashtëzakonshme çdo vizitë në këto zona, lagje, vendbanime të reja, pas kaq shumë pune të madhe të bërë me jo pak vëshitrësi. Dhënia e çelësave për gjithë këto familje, për gjyshe, gjyshër, prindër, fëmije dhe për shumëkënd nga ju që me të drejtë ka qenë mosbesues, dyshues dhe mbase dhe tani mund të ketë dikush që nuk e beson që kjo mund të jetë një realite dhe jo një ëndërr.”

Kryeministri Rama u ndal dhe te Programi i Rindërtimit duke thënë se: “Për ne ky është një program që u ka shërbyer të gjithëve pa asnjë dallim, pa parë majtas, djathta, duke parë drejt, duke bashkuar forcat dhe duke i bashkuar të gjithë në komunitete të reja.”

“Pavarësisht gjithçkaje që ju ndan dhe ju dallon në ditën e votimit, dita e votimit është një! Ndërkohë janë katër vjet nga një votim te tjetri, ku ne jetojmë së bashku, ku kemi sfida të përbashkëta, halle të përbashkëta”, deklaroi Rama.

Kjo zonë është shndërruar në një hapësirë moderne falë investimit të Qeverisë dhe të zbatuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Gjithashtu, ka përfunduar plotësisht edhe infrastruktura rrugore, e cila përfshin 4 rrugë të reja dhe 1 unazë. Kjo infrastrukture rrugore shërben për t’u lidhur me rrugët ekzistuese të zonës dhe bën të mundur integrimin e lagjes së re me pjesën tjetër të qytetit.

Qeveria po ashtu ka realizuar me financim nga buxheti i shtetit rikonstruksioni e Rrugës Çamëria dhe i Unazës së qytetit.