Kreu i Qeverisë, Albin Kurti, ka folur mbrëmë për rritjen e pagës minimale. Sipas Kurtit, rritja e pagës minimale prej 130 dhe 170 euro në 250, është rritje shumë e madhe, ani pse ky propozim nuk është miratuar. Ai ka thënë se edhe pse tash është ai në pushtet, nuk mund të bëhet paga minimale prej 170 eurove në 500. Ka thënë se s’është e mundshme të bëhet as 400 euro.
Ai ka përmendur edhe një formulë që thotë se nuk e lejon këtë gjë, ndonëse ka thënë se nuk është shumë i sigurt. “Për një dekadë ka qenë 130 edhe 170. Ne në zotimet tona kemi thënë 250, tash po e bëjmë 264 Bruto, Neto i bie 250 pas kontributit pensional. Dmth ta rrisësh prej 130-ve dhe 170-ve në 250, është rritje shumë e madhe e pagës minimale dhe ne nuk mund të lejojmë, se ka dhe teori e kalkulime ekonomike për këtë gjë, që paga minimale të kalojë një përqindje të lartë të pagës mesatare se përjeton çrregullim makroekonomik pastaj. Pra, ti duhet ta rrisësh pagën mesatare që të rritet paga minimale. Ne mund ta bëjmë sa të doni pagën minimale, por nuk do të zbatohet. (Me 264 euro do të zbatohet?) Po, do të zbatohet dhe nuk bën çrregullim makroekonomik në Kosovë se nëse nuk jam gabim është një formulë sipas së cilës paga minimale kurrsesi nuk bën t’i kalojë 56 përqind të pagës mesatare. Nuk jam i sigurt për këtë gjë, por e di që ekziston një formulë e tillë ndaj së cilës ne duhet të kemi kujdes”, ka thënë Kurti në RTK.
I pari i Qeverisë ka thënë se do ta rishikojnë rritjen e pagës minimale kur të rritet ekonomia dhe të rritet paga mesatare. “Duhet të takohemi prapë me ta, por shikoni unë edhe njëherë po e theksoj që njerëzit kanë nevoja të ndryshme, pra në këtë vend u janë nëpërkëmbë të drejtat dhe dinjiteti për një kohë shumë të gjatë, por pse është tash Qeveria Kurti nuk mund të kërcejmë tash prej 170 në 500. Nuk është e mundshme as 400. Nuk është e mundshme. Pra, dëshirat janë legjitime, mirëpo pritjet absurde nuk mund të jenë të arsyeshme. Andaj, si Qeveri e Republikës së Kosovës, ne e kemi thënë në fushatë qe do të jetë 250, tash do jetë 264. Besoni kur të rritet ekonomia jonë dhe të rritet paga mesatare, a mendoni se nuk do ta bëjmë rishikimin që ta rrisim pagën minimale? Sigurisht që po, por duhet të rritet paga mesatare, të rritet ekonomia jonë shumë më tepër se kaq”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, në një postim në Facebook më 10 mars, ka njoftuar se propozimi për rritje të pagës minimale ka dështuar, duke thënë se ai nuk është mbështetur nga përfaqësuesit e sindikatave. Murati ka thënë se Këshilli Ekonomik Social ka propozuar pagë minimale prej 240 eurosh në muaj, ndërsa Qeveria ka propozuar 1.5 euro për orë, apo 264 euro në muaj. “Krejt çka arrihet me këtë mosvotim është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro”, ka thënë Murati më 10 mars./ Gazeta Express