Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, në Ditën Botërore të Sindromës Down ka sjellë në vëmendje të të gjithëve me një shembull suksesi, duke dëshmuar se janë mendja e shpirti ato që të çojnë drejt suksesit.

Kushi solli shembullin e Selmës, nxënëse në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” në Kavajë, e cila sipas ministres, dëshmon se me punë, vullnet, përkushtim dhe mbështetjen e duhur kushdo mund t’ia dalë në jetë.

“Selma është një frymëzim për të gjithë ne, pasi përveçse është një nxënëse shumë e mirë, ajo gatuan dhe shtron drekën tek Shtëpia e të Moshuarve, prezanton koncerte dhe aktivitete, aktron shkëlqyeshëm madje edhe në rolin e Zhulietës, merr pjesë në sfilata si modele, si dhe në vitin 2018 u shpall “Aktivistja Speciale e Vitit” nga Ministria e Arsimit”, thekson Kushi.

Ministrja Kushi shprehet se “Selma do të vijojë shkollën e lartë, edhe pse ende nuk e ka vendosur nëse do të zgjedhë diplomacinë, aktrimin apo ndonjë degë tjetër”.

Në dhjetor 2011, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 21 Mars si Ditën Botërore të Sindromës Down. Kjo Asamble vendosi që nga viti 2012, të organizojë Ditën Botërore të Sindromës Down, në 21 mars të çdo viti dhe fton të gjitha Shtetet Anëtare, organizatat e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, si dhe shoqërinë civile duke përfshirë edhe organizatat joqeveritare dhe sektorin privat, për të organizuar Ditën Botërore të Sindromës Down me qëllim për të rritur sa më shumë ndërgjegjësimin publik.