Lulzim Basha eshte dorehequr nga drejtimi i PD-se. Basha u shpreh se: Investova gjithcka për një zgjidhje që do t’i shërbente PD. Përpjekja ime për të mbajtur PD për të bashkuar nuk arriti sukses. Unë dhe shumë demokratë u përballëm me sulme të paparimta dhe si rezultat sot PD po përjeton krizë të thellë. Për këtë arsye, i vetëdijshëm për peshën që mora mbi vete për vendimin më të vështirë politik kam vendosur të marr një hap pas dhe të tërhiqem. Kjo nuk është tërheqje personale. Kjo nuk është një tërheqje për rehati personale, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë të zhveshur nga çdo shpifje se kjo që ka ndodhur këto 6 muaj është bërë për karrigen e kryetarit.Sot ti them kujtdo që ka besuar dhe beson se PD duhet të shohë drejt të ardhmes, se unë jam dhe do jem tërësisht i angazhuar krah jush, do jem zëri juaj, nuk do ta braktis kurrë sakrificën tuaj, nuk do lodhem kurrë për t’u shprehur mirënjohjen, për sakrificat, mundin dhe kontributin tuaj, dhe me vendosmëri do bëj gjithçka, që ato të mos shkojnë dëm, por ti japin forcë vizionit tonë për një PD që zgjedh të ardhmen dhe i prin rrugës së shqiptarëve drejt saj.

Unë do të vazhdoj pareshtur e pa u lëkundur të punoj, duke u përkushtuar me mish e me shpirt për këtë ringritje të Partisë Demokratike rreth vlerave, parimeve dhe standardeve tona si demokratë.

Për këtë jam i bindur se ka nevojë që të nisë sa më parë një proces vetëdijesimi, analize, përbashkimi parimor dhe ripërtëritje, e më pas një proces zgjedhor i hapur, transparent, i lirë dhe i drejtë, nga baza në qendër i gjithë lidershipit të PD. Demokratët janë të lodhur nga konflikti i brendshëm, nga fushatat dhe gjuha denigruese, nga e cila dëmtohet Partia Demokratike dhe Shqipëria dhe përfiton vetëm Edi Rama dhe klika e tij.
Shqipëria meriton dhe do të ketë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve.