Kryeministri zhvilloi një konferencë në rrjetet sociale për Paketën e Rezistencës Sociale, ku sipas tij është i domosdoshëm komunikimi me qytetarët në këto kohë të vështira krize e lufte që po kalon gjithë bota e që askush nuk e di sesa do të zgjasë.

Rama u shpreh se: “I kam ndjekur reagimet edhe te njerëzve qe simpatizohen me protestën dhe nuk i fus fare në një thes të gjithë. I kam dhënë dhe përgjigje një pjese prej tyre dhe do te vazhdoj ta bëj, po ama nëse un do të isha person i painteresuar dhe i shkëputur nga realiteti e arrogant, atëherë pse duhet të isha unë në komunikim me ju, me komentet që bëni ju, fare mirë mund t’ju injoroja, siç bëjnë të tërë, siç bëjnë diktatorët, arrogantët. Sepse ata që përbuzin njerëzit nuk kanë karakteristikë të tyre përpjekjen për t’u futur në komunikim me njerëzit, me ata më ta zakonshëm nëpër komente virtuale, por kanë karakteristikën e shpërfilljes totale të tyre dhe të folurit nga lart- poshtë.”

“Unë e bëj këtë sepse jam në këtë detyrë me pasionin e madh për ta bërë këtë punë sa më mirë dhe me ndjenjë shumë të lartë. Sepse kam detyrimin ndaj atyre që më kanë vendosur këtu, që janë shumica dërrmuese shqiptare. Sepse ky është një besim i jashtëzakonshëm, sepse s’ka pasuri më të madhe se kjo për mua” tha Kryeministri.