Xhani De Biazi ishte një ndër trajnerët më të suksesshëm të Kombëtares shqiptare teksa arriti kualifikimin historik në një kompeticion madhor si Kampionati Europian që u zhvillua në Francë në vitin 2016. Së fundmi nëpërmjet një interviste me median katalanase “Ara.cat”, tekniku italian ka treguar eksperiencën si trajner i Shqipërisë dhe përjetimin në ndeshjen ndaj Serbisë: “Duhej të ndërtoja një projekt nga fillimi dhe të bindja lojtarë të cilët kurrë më parë nuk kishin qenë pjesë e kombëtares. Shikoja në internet për emra apo mbiemra shqiptarë dhe më pas gjeja videot e futbollistëve. Nëse ai lojtar do të qëllonte të kishte ëndrra dhe ambicie atëherë ne do ta kontaktonim.
Kisha me vete edhe një avokat për të kaluar burokracitë, ndërsa kuptoja më mirë edhe ligjet shqiptare. Sapo ia dolëm t’i jepnim kombësinë lojtarit të parë, me të tjerët pastaj u bë më e lehtë.
Ndeshja me Serbinë? Kur u shortuam me ta, menjëherë mendova si do të ishte e mundur të luanim kundër tyre. Disa të afërm dhe familjarë të lojtarëve të Shqipërisë kishin humbur jetën në luftë prej serbëve. Në momentin kur nisi rrëmuja në stadium, nxituam për në dhomat e zhveshjes. Arbitri kërkoi të rifillonte lojën, por ne refuzuam në mënyrë kategorike. Rrezikuam jetën dhe për mua ajo është eksperienca më e keqe si trajner.”, përfundoi De Biazi. /PANORAMASPORT.AL/