Lufta e Ukrainës dhe kriza e kostos së jetesës shihen përgjithësisht si çështje të ndara në opinionin publik britanik, por një raport nga instituti ”Resolution Foundation” argumenton se këto të dyja janë të lidhura shumë ngushtë, sipas gazetës së njohur britanike ”The Guardian”. Sipas këtij instituti ”lufta mund të kontribuojë që britanikët të vuajnë rënien më të madhe të të ardhurave të disponueshme reale për gati 50 vitet e fundit”. ”Konflikti në Ukrainë parashikohet të rrisë më tej çmimet e energjisë dhe inflacionin më të gjerë (në mbi 8 për qind këtë pranverë), duke bërë që të ardhurat tipike të familjeve në të gjithë Britaninë e Madhe të bien me 4 për qind në vitin e ardhshëm financiar (2022-23), viti më i keq që nga mesi i viteve 1970”, thuhet në studimin e këtij instituti.
E gjitha kjo përkthehet në një goditje me vlerë 1 000 sterlina për familje, thënë ndryshe rënia më e madhe vjetore që nga viti 1975. Duke paralajmëruar këtë fenomen, sekretari britanik i Thesarit, Rishi Sunak tha se kërkoheshin hapa urgjente për të ndihmuar familjet më të varfra në vend, ndërkohë që instituti në fjalë thotë se rritja e dobët e pagave dhe inflacioni i lartë pritej të çonin më shumë fëmijë në varfëri. Inflacioni në Britaninë e Madhe është tashmë në 5,5% – norma më e lartë për 30 vjet – përpara se Vladimir Putin të urdhëronte trupat e tij në Ukrainë.
Tani ekonomistët po paralajmërojnë se ndikimi i konfliktit në çmimet globale të naftës dhe gazit do të shtojë presionet inflacioniste në mbarë botën. Edhe pse Britania e Madhe merr relativisht pak nga furnizimi i saj me gaz nga Rusia – rreth 5% e totalit të importeve të saj – frika për kufizimet e furnizimit në mes të konfliktit në përshkallëzim ka rritur çmimet globale të shitjes me shumicë. Instituti tha se dëmi për të ardhurat e familjeve do të kishte qenë më i madh pa rritjen prej 350 sterlinash, të ofruar nga paketa e qeverisë për mbështetjen e energjisë.
Paralajmërimi vjen pasi qeveria përgatitet të rrisë vlerën e përfitimeve të moshës së punës dhe pensionit shtetëror me 3,1% që nga prilli. Drejtuesit e industrisë së shitjes me pakicë po paralajmërojnë se ulja e standardeve të jetesës do të godiste shpenzimet e konsumatorëve këtë vit, duke rënduar rimëkëmbjen ekonomike të Britanisë së Madhe nga Covid-19.