Fati i Ukrainës do të vendoset në të ardhmen e afërt. Ne nuk e dimë nëse presioni ndërkombëtar, do të pengojë forcat ruse apo nëse fuqia ushtarake ruse do të pushtojë Kievin. Por tani, mund të thuhet se fushata e rrjeteve sociale e zhvilluar nga Ukraina, është një nga fushatat më brilante të orkestruara nga vendet në dekadat e fundit. Ukrainasit kanë marrë një situatë politike komplekse dhe jo të njëanshme, gjithashtu kanë arritur të mobilizojnë gjerësisht opinionin publik në Perëndim.
Përdorimi i zgjuar i rrjeteve të tij sociale nga Zelensky, arriti të mposhtë një sistem propagandistik që u përpoq të përhapte lajme të rreme duke pretenduar se, iku ose u dorëzua apo u largua nga fusha e betejës. Zelensky përdori vetë rrjetet e tij sociale, u shfaq drejtpërdrejt para publikut, i përcolli mesazhet personalisht dhe arriti të shpërndajë lajmet e rreme. Falë aktivitetit digjital të Zelensky-t, ushtria ukrainase dhe qytetarët ukrainas kanë qëndruar në anën e Presidentit. Nëse Ukraina arrin të mbijetojë, kjo do të jetë vetëm falë fushatës me ndikim në rrjetet sociale. Situata në Evropën Lindore është komplekse. Shtetet e Bashkuara po e shtyjnë Ukrainën të anëtarësohet në NATO. Për sa i përket Presidentit rus Vladimir Putin, është e papranueshme që kjo aleancë ushtarake anti-ruse të vendosë forcat ushtarake amerikane qindra milje larg Moskës. Putin kishte paralajmëruar vazhdimisht kundër kësaj lëvizjeje. Edhe pse ky shqetësim nuk justifikon veprimet e Putinit, ai duhet të merret parasysh si një fakt i rëndësishëm gjeopolitik.
Zelensky, ndoshta për shkak të historisë së tij në marrëdhëniet me publikun, komedinë dhe televizionin, mori dy vendime të zgjuara strategjike. Së pari, ai e portretizoi Ukrainën si anën e dobët. Njëherë e një kohë, të qenit i fortë konsiderohej si avantazh, ndërkohë sot falë rrjeteve sociale, pushteti ka kaluar në duart e të dobëtëve. Së dyti, Zelensky nuk u përpoq të arrinte një kompromis me Putinin, në vend të kësaj, ai e përshkroi Ukrainën si të varfër dhe të dobët. Zelensky nuk e përmendi NATO-n në fjalimet e tij të shumta. Në vend të kësaj, luajti me ndjenjën perëndimore se kushdo që është i dobët është i privuar, nuk pranohet dhe ka nevojë për ndihmë. Ai shpejt arriti të bindë Perëndimin se situata komplekse është bardh e zi, një stil i të ndjerit Arthur Finkelstein, jemi “ne” ose “ata”.
Vendimi i dytë i Zelensky ishte të bëhej vetë ylli i luftës. Në Perëndim, personazhet janë të dashur, dhe Zelensky konsiderohet një personazh i mirë. Ai duket pozitiv,i dashur, flet me vendosmëri, besim dhe nuk i lexon mesazhet e tij nga letrat, siç bëhet zakonisht nga politikanët. Publiku i televizioneve perëndimorë nuk shohin oficerë ushtarakë ukrainas në televizion. Ukraina gjithashtu ka një ushtri dhe ata përdorin dhunën, por askush nuk shikon dhunë dhe ushtri nga ana e ukrainasve. Ne shohim presidentin Zelensky dhe civilë.
Kuptimi se rrjetet sociale nuk janë mjete propagandistike, por një mjet për komunikim të drejtpërdrejtë, i ka dhënë Zelensky një vlerësim të madh.
Ukraina ka truket e shkëlqyera. “Linja telefonike” e hapur për nënat ruse për të folur me djemtë e tyre të robëruar në Ukrainë,tregon shumë mirë humanizmin e Ukrainës. Ai e portretizon vendin si paqedashës, duke u kujdesur edhe për ushtarët e armikut, ndërsa ushtarët ukrainas të kapur nga Rusia përballen me një fat të panjohur. Konferenca për shtyp e Zelensky-it ishte gjithashtu një vendim strategjik korrekt. Ndërsa, Putini portretizohet i ulur në një “kafaz të artë” në Kremlin, Zelensky, i cili mbajti karrigen e tij me duar në konferencën për shtyp, u rrethua nga gazetarë të huaj në një bunker, duke i impresionuar të gjithë. Ukraina ka një ushtri të dobët, por rrjetet sociale janë të forta.
Perëndimi është i emocionuar për Ukrainën. Zelensky ka njohur mjetet e fuqisë së butë dhe emocionet në botën perëndimore, është duke i shfrytëzuar në të mirë për të ushtruar presion dhe sanksione ndaj Rusisë. Pa të, ai do të ishte mposhtur shumë shpejt. /“Jerusalem Post”