Për mbarëvajtjen e Maturës Shtetërore 2022, që nga hartimi i testeve e deri në vlerësimin e tyre, këtë vit do të angazhohen 920 mësues nga e gjithë Shqipëria, prej të cilëve 120 janë certifikuar këtë vit.
Gjatë një ceremonie të organizuar në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi u dorëzoi certifikatat mësuesve të rinj hartues dhe vlerësues.
Gjatë fjalë së saj ministrja tha se procesi i Maturës Shtetërore është një hallkë shumë e rëndësishme që tregon performancën e sistemin arsimor.
“Matura Shtetërore nuk është e rëndësishme vetëm për maturantët që janë në një moment të rëndësishëm të jetës së tyre, por edhe për të vërtetuar mangësitë dhe problematikat e sistemit arsimor. Mbi këto gjetje ne mund të ndërtojmë politika për ta përmirësuar, jo thjesht procesin e Maturën Shtetërore, por të gjithë sistemin arsimor,” – tha Kushi.
Ajo kërkoi nga të gjithë që të bëjmë maksimumin për të patur një maturë të suksesshme, pasi rezultati varet tërësisht nga puna e përbashkët.
Kushi shprehu keqardhje që në vitet e kaluara ka patur edhe cedime, por shprehu besimin e plotë tek mësuesit hartues dhe vlerësues që janë të aftë, profesionistë, të trajnuar dhe të përshtatur me kurrikulën e re me kompetenca, të cilët do ta bëjnë krejtësisht të mundur një maturë të suksesshme falë angazhimit maksimal.
“Ne kemi në armatën tonë të mësuesve shumë ekspertë që mund të hartojnë teste mjaft të mira në përputhje me programin, por që mund të jenë matës shumë të mirë të njohurive me kompetenca të maturantëve tanë” – u shpreh ministrja.
Ajo i dha një theks të veçantë meritokracisë në vlerësimin e maturantëve, si në provimet në shkolla, ashtu dhe në Maturën Shtetërore, pasi e quajti të pafalshme që një maturanti të mirë që ka sakrifikuar përgjatë gjithë shkollimit, t’i prishen ëndrrat.