Për shkak të kushteve të këqija të motit nuk ka qenë i mundur dërgimi i komisionerëve në qendrat e votimit në fshatin Shosh dhe Pult në Shkodër. Për pasojë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi njoftoi se votimi konsiderohet i pafilluar dhe i përfunduar.
“Aty nuk është votuar për arsye objektive. Situata ka qenë shumë e vështirë në kushte ekstreme atmosferike dhe nuk ia vlente barra qiranë që të rrezikonin jetën për të shkuar atje. Edhe në këmbë e kanë patur të vështirë për të shkuar”, u shpreh Celibashi.
Por çfarë pritet që të ndodhë më pas?
“Kjo është një çështje për t’u vlerësuar pasi të ketë mbaruar procesi. Kodi Zgjedhor, nëse zgjedhjet shpallen të pavlefshme në një ose disa qendra votimi dhe numri i zgjedhësve është i tlilë që është më i madh se kandidati fitues me të dytin atëherë zgjedhjet shpallen të pavlefshme në të gjithë bashkinë”, sqaroi Celibashi.
Në listë në qendrat e votimit në Shosh dhe Pult janë rreth 1300 votues. Bëhet fjalë në total për 3 QV, 2 në Shosh dhe 1 në Pult.
Celibashi sqaroi edhe problematikat në Vorë. Ai u shpreh se procesi atje është duke zhvilluar normalisht.
“Si nga raportimet që në përgjithësi administrata e KQZ ka marrë, por gjykuar edhe nga ajo që pashë vetë, procesi i votimit aty ishte duke vijuar normalisht. Sjell në diskutim çështjen e mungesës së anëtarëve të Komisionit të QV. Kjo është një çështje që do të gjejë trajtimin e vet ligjor më pas nga KQZ, por procesi aty është duke shkuar normalisht”, tha Celibashi.
Po ashtu, Celibashi u shpreh se në totalin e problematikave të raportuara, 13% e tyre lidhen me kamerat e vëzhgimit, rreth 70% me pajisjen e identifikimt elektronik dhe 15% me çështje të administrimit të zgjedhjeve.
Celibashi u shpreh se është komunikuar me KZAZ-të dhe KQV-të që të mos lejohet grumbullimi i personave të paautorizuar pranë QV-ve.
“Orari i mbylljes së votimit është 19:00. Vazhdojmë të risjellim në vëmendje thirrjen për të mos u përfshirë në deklarime publike, e kam fjalën për partitë politike dhe subjekteve zgjedhore, që përçojnë mesazhe elektorale pasi jemi në heshtje zgjedhore”, tha Celibashi.