Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, së bashku me Drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan Kreshnik Ajazi, zhvilluan një konferencë për shtyp pas mesnate për operacionin policor të koduar “Arratia”.

Nano shprehet se, mbrëmjen e datës 29 mars 2022, nga strukturat e Policisë së Shtetit është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Arratia”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i një prej personave më të kërkuar, i dyshuar për kryerjen e disa vrasjeve.

“Më datë 29 mars 2022, rreth orës 22:25, në lagjen “Apollonia”, në Fier, si rezultat i punës profesionale të strukturave të Policisë së Shtetit, u bë lokalizimi dhe kapja e një prej personave më të kërkuar në vendin tonë, shtetasit Nuredin Dumani.Në finalizimin e operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga Policia e Elbasanit, u angazhuan forcat Speciale RENEA, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin Nuredin Dumani, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit H. H., 40 vjeç, banues në lagjen Apollonia, Fier, i cili u kap i armatosur me një armë zjarri pistoletë në brez dhe me një pistoletë në automjet”, thekson ai.

Gjithashtu, Nano shton se nga kontrolli në banesën ku fshihej shtetasi Nuredin Dumani, u gjet dhe u sekuestrua edhe një armë zjarri kallashnikov, si dhe prova të tjera të cilat do të analizohen dhe vlerësohen nga grupi hetimor.

“Po gjatë operacionit, u kapën edhe 2 persona të tjerë, për të cilët grupi hetimor po punon me qëllim sqarimin e pozitës së tyre dhe të lidhjeve me personin e shumëkërkuar Nuredin Dumani. Sqarojmë se më datë 29 mars 2022, rreth orës 17:35, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër, është qëlluar me armë zjarri ndaj një automjetit tip “BMË”, në të cilin dyshohet se udhëtonte shtetasi i kërkuar. Pas marrjes dijeni për ndodhjen e kësaj ngjarjeje, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, si dhe ndjekjes në një kohë shumë të shpejtë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, u arrit të lokalizohej dhe të kapej shtetasi Nuredin Dumani.Grupi hetimor po punon për të sqaruar dinamikën e ngjarjes, si dhe pozicionin e shtetasit Nuredin Dumani, i cili në momentin e kapjes ishte i plagosur me armë zjarri. Gjendja e tij, sipas mjekëve, është e stabilizuar dhe pas ndihmës së parë në qytetin e Fierit është transportuar për në spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë të specializuar mjekësore”, shprehet ai.

Në vijim, Nano shton se deri tani janë kapur e sekuestruar 2 armë zjarri pistoletë dhe 2 armë zjarri kallashnikov (një kallashnikov është sekuestruar nga Policia e Elbasanit).

“Gjej rastin të falënderoj të gjithë punonjësit e Policisë të angazhuar në këtë operacion, të cilët prej disa muajsh kanë punuar me intensitet dhe përkushtim për lokalizimin dhe kapjen e personave të shumëkërkuar. Falënderoj Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe SPAK-un, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer dhe profesionale për strukturat hetimore të Policisë së Shtetit”, tha ai.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur për goditjen e çdo aktiviteti kriminal, kapjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të tyre dhe personave të kërkuar që i shmangen hetimit.