Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Giknuri deklaron se ndryshimet në qeveri janë kompetencë e Kryeministrit të vendit. Interesimit të mediave në lidhje me mundësinë për një ripërtëritje të kabinetit qeveritar, Gjiknuri nënvizoi se performancën e qeverisë e gjykon Kryeministri sidomos të ministrave dhe është prerogativë e tij kushtetuese. Gjiknuri sqaron dhe pikat që do të diskutohen në Kongresin që do të zhvillojë Partia Socialiste dhe që kanë të bëjnë dhe me riorganizimin e kësaj force për t’iu përgjigjur sfidave të ardhshme. Ai thekson se një nga pikat e Kongresit do të jetë miratimi i Statutit të ri si dhe fillimi i punës për rizgjedhjen e të gjithë kryetarëve të partive në të gjithë Shqipërinë menjëherë më pas Kongresit.

Z. Gjiknuri, Partia Socialiste është në mandatin e tretë të saj. Si e gjykoni angazhimin e qeverisë pavarësisht se nuk është bërë viti i qeverisë “Rama 3”? A mendoni se ka nevojë për një ripërtëritje për t’i dhënë më tepër peshë aktivitetit qeverisës sidomos në këtë periudhë krize? Performancën e qeverisë e gjykon Kryeministri sidomos të ministrave dhe është prerogativë e tij kushtetuese. Natyrshëm vendi ka sfida përpara. Sfida të cilat kanë ardhur si shkak i shumë ngjarjeve që nuk kanë pasur lidhje me Shqipërinë kanë afektuar ekonominë dhe qytetarët shqiptarë. Qeveria po bën maksimumin për t’i adresuar me politika sociale brenda mundësive ekonomike që ka. Është shumë e thjeshtë të thuash unë kam një listë dëshirash. Gjithmonë njerëzit presin që qeveria të plotësojë gjithçka, por problemi janë edhe mundësitë pa vënë në pikëpyetje elementët thelbësorë që mbajnë një shtet siç janë mbarëvajtja normale e institucioneve dhe sigurimi i një minimumi të ardhurash për shtetin për të funksionuar.

Nga kjo pikëpamje mendoj se qeveria ka sfida, por njëkohësisht është duke i përballuar ato brenda mundësive që ka.