Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë, do të presë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, në dy mbrëmje, edicionin e 18 të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”. Kësaj here, regjisor i festivalit, ku marrin pjesë 16 yje të rinj nga 4 kontinente, do të jetë nëndrejtori i Operas së Kievit, Anatoliy Solovianenko, i cili është larguar nga lufta në Ukrainë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot jurinë e Festivalit të përbërë nga drejtorët e teatrove të njohur europianë, dhe i dhuroi Kullën e Sahatit regjisorit të njohur ukrainas, Anatoliy Solovianenko.

“Sahati i Tiranës është kilometri 0 për çdo kënd të Shqipërisë. E di që Ukraina po kalon orë të vështira, por koha do kalojë, vendi do të rindërtohet dhe do t’i rikthehemi normalitetit. Ne kemi një shprehje: Rindërto më mirë, më të madhe dhe më bukur – jo vetëm ndërtesa, ura, apo çdo shkatërrim tjetër nga lufta, por edhe shpirtin. Unë mendoj se puna dhe misioni juaj, me këtë grup fantastik miqsh, do të luajë një rol të madh edhe për rindërtimin shpirtëror të njerëzve,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se është i kënaqur që sot në Tiranë kemi miq nga Ukraina. “Nesër presim në Tiranë një ekip të lojtarëve olimpik të Ukrainës, që do të trajnohen këtu, për të mos humbur bioritmin, e për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike të Parisit. Ne treguam një mikpritje të jashtëzakonshme me refugjatët nga Afganistani, por edhe me nismën e Tiranës për të kontribuar në atë që quhet ‘solidariteti 1%’ – sikur një qytet i madh të mirëpresë ekuivalentin e 1% të popullsisë së tij, për gratë me fëmijë që vijnë nga Ukraina, atëherë edhe barra do ndahej më kollaj. Jam shumë i lumtur që shumë kolegë na kanë ardhur nga e gjithë Europa, janë pjesë e jurisë dhe shpresoj shumë që në Tiranë jo vetëm të qëndroni e të kaloni mirë, por të ktheheni edhe në ambasadorë ‘de facto’ të asaj që patë”, tha Veliaj.