654,538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote do t’i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, Shkodër, Dibër dhe Durrës mes kandidatëve të PS, PD e koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’. Të zgjedhurit në këto votime do të kenë një mandat 1-vjeçar.
KQZ ka bërë me dije se janë 10,134 zgjedhës që votojnë për herë të parë. Në të 6 bashkitë do të jenë 941 qendra votimit që do të jenë të hapura nga ora 07:00-19:00.
Në Vorë procesi i votimit ka nisur me vonesë për shkak se disa komisionerë të PD-së mbërritën me vonesë. Ndërsa në qarkun e Shkodrës në dy njësi administrative, Shosh dhe Pult, nuk ka nisur ende votimi, pasi kutitë e votimit kanë mbetur në dëborë.
Në të gjitha qendrat e votimit do të jetë identifikimi elektronik, ndërsa në Vorë votimi dhe numërimi do të jetë elektronik ku rezultati do të bëhet me dije menjëherë pas zgjedhjeve. Për pesë bashkitë e tjera, rezultati pritet të dalë brenda 48 orëve. Zgjedhjet e pjesshme vendore u dekretuan nga Presidenti Meta më 20 janar të këtij viti për shkak të vakancave të krijuara nga dekriminalizimi apo dorëheqjet.