Përveç Grupit Parlamentar, në mbledhjen e sotme të njoftuar nga kryedemokrati Lulzim Basha pritet të jenë edhe anëtarët e kryesisë si edhe krerët e Partisë Demokratike nëpër rrethe. Basha e njoftoi mbledhjen për në orën 17:00 dhe pritet që dita e sotme të jetë ajo ku do të merret përfundimisht një vendim mbi të ardhmen e PD-së pasi një numër i madh deputetësh i kanë kërkuar atij dorëheqjen.

Fakti që ai ka mbledhur në një sallë tre struktura tregon se do t’u komunikojë atyre një vendim, për të cilin disa ditë më parë kërkoi kohë që ta marrte. Koha mbaron sot, prandaje dhe duket se këto janë orët e fundit para se të vendoset gjithçka mbi PD.

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Bashës, nga i cili do të rrjedhin më pas ngjarjet e tjera brenda PD-së, por paraprakisht në lojë janë dy skenarë. Skenari i parë është që Basha të japë dorëheqjen dhe partia të drejtohet nga një grup deputetësh nga ata që mbështesin atë dhe Berishën për ta çuar deri në zgjedhje.

Skenari i dytë është që Basha të mos pranojë të japë dorëheqjen sot, gjë që do të bëjë që deputetët brenda Grupit Parlamentar të fillojnë të mbledhin firmat me qëllim që t’i kërkojnë Kryetares së Parlamentit që ai të mos jetë më pjesë e grupit.