Një ditë pasi prezantoi Paketën e Rezistencës Sociale me 7 pika për t’iu gjendur pranë qytetarëve për rritjen e çmimeve, kryeministri Edi Rama pritet që të zhvillojë një bashkëbisedim për të informuar punonjës në sektorë të ndryshëm për këtë paketë, ndërhyrjet e qeverisë dhe efektet e krizës ndërkombëtare në ekonomi.

Pas mbledhjes me qeverinë, kryeministri Edi Rama prezantoi 7 masat e marra, ku shpjegoi se do të kompensojnë me 3 mijë lekë rritjen e çmimeve të shportës për shtresat në nevojë. Kjo shumë do të përfitohet për 3 muaj nga pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistë të invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet me ndihmë ekonomike.