Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, nga foltorja e Kuvendit i ka kërkuar deputetëve që të bashkohen në qëndrimin për dënimin e agresionit rus mbi Ukrainën dhe mbështetjen për këtë të fundit. Ai i kërkoi ligjvënësve shqiptarë që të lënë mënjanë çështjet e mëdha të vendit, pasi sot është dita për të treguar përgjegjshmëri dhe për të bërë strategji kombëtare.
“Do të donim të flisnin të gjithë në të njëjtën gjuhë për Ukrainën. Ne kemi sfidat tona të sigurisë kombëtare e të mbrojtjes, jemi në nevojë për shkak të situatës së krijuar për të rishikuar dokumentet tona strategjike, por sot është dita e Ukrainës. Çdo përpjekje për të marrë nga kjo çështje kredo politike, nuk është e drejtë. Të tregojmë si jemi një faktor në gjithë Rajonin drejt perëndimit. Nuk është dita të flasim për çështje tonat shumë të mëdha, por për Ukrainën. Sot duhet të bashkohemi, të lëmë mënjanë të gjitha axhendat tona, mos të merremi me ngritjen e çmimeve, me rritjen e çmimit të naftës. Të tregojmë përgjegjshmëri politike, të bëjmë strategji kombëtare. Të tregojmë se dimë të bëjmë pakte kombëtare për çështje të mëdha. Na duhet të vëmë më shumë forca për modernizimin. Po ndodh ajo çka Presidenti Putin paralajmëroi në 2007. Duhet t’i themi Perëndimit që jemi të gjithë bashkë. Nuk e meritojmë ne e shqiptarët të ndahemi në këtë ditë. Ne jemi të gjithë bashkë jemi me Ukrainën. Ukraina sot nuk po lufton për Ukrainën, por për lirinë e të gjithëve”, tha Peleshi.